A do ia marrin çmimet “Oskar” producentit Weinstein?

Pas akuzave për sjellje jo të hijshme ndaj producentit të mirënjohur të Hollivudit Harvey Weinstein, Akademia e Oscar-it do të mbajë një mbledhje për të vendosur për të ardhmen e tij. Valës së reagimeve pas këtij lajmi i është bashkuar edhe ish-kandidatja demokrate për presidencën Hillary Clinton, e cila deklaroi se do të dhuronte për bamirësi paratë e investuara nga Harvey Weinstein në fushatën e saj.

Organizatorët e Çmimeve Oscar do të mbajnë një mbledhje emergjente për të diskutuar mbi të ardhmen e Harvey Weinstein, pas akuzave për sjellje të turpshme, ngacmim seksual e madje përdhunim nga ana e producentit.

Akademia e Arteve të Filmit dhe Shkencave, që ka akorduar 81 çmime Oscar për filmat e prodhuar nga studioja dhe kompania e Weinstein, do të mblidhet të shtunën për të diskutuar nëse ata do të duhet të marrin masa lidhur me këtë çështje. Ndërkaq Akademia Britanike e Filmit dhe Arteve Televizive Bafta ka pezulluar anëtarësinë e productentit, edhe pse Weinstein mohon kategorikisht akuzat kundër tij.

Ish-kandidatja demokrate për presidencën Hillary Clinton u shpreh e tmerruar pas akuzave ndaj Harvey Weinstein, i cili ka investuar mëse 1.4 milionë dollarë në fushatën e saj politike vitin e kaluar. Në një intervistë për rrjetin amerikan CNN, Clinton u shpreh se do t’i dhuronte për bamirësi paratë e kontribuara nga producenti.

Një sërë aktoresh të mirënjohura të Hollywood-it, përfshi këtu Angelina Jolie e Gwyneth Paltrow akuzuan Weinstein për ngacmim ose sulm seksual. Sakaq, një ditë më parë, bashkëshortja e producentit, Georgina Chapman lajmëroi divorcin pas zbulimit të akuzave ndaj Weinstein. Raportimet për sjellje të pahijshme të producentit të mirënjohur të Hollywood-it datojnë që në vitin 2015, por prova e paraqitur atëherë kundër tij, u konsiderua nga prokurorët amerikanë si e pamjaftueshme për të vërtetuar krimin.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com