AFP: Plaçkitja barbarie e pasurive nënujore të Shqipërisë

Ujërat e gjata bregdetare të Shqipërisë janë bërë një pikë e nxehtë për gjahtarët e thesareve që mbledhin qeramika të lashta, pjesë nga anijet e fundosura antike dhe relikte të tjera të mbuluara me guaska që kanë qëndruar në det për shekuj me radhë. Kështu nis një artikull i agjencisë prestigjioze të lajmeve AFP, që ngre shqetësimin për grabitjen e pasurive nënujore të vendit tonë.

Vija bregdetare prej 450 kilometrash që përfshin detin Jon dhe Adriatik, ishte e izoluar gjatë regjimit komunist, por sot ujërat e saj janë të hapura, duke joshur arkeologët dhe gjuetarët për të shitur gjetjet e tyre në tregjet e artit dhe metaleve.

“Pjesa më e madhe e kësaj pasurie që qëndron në thellësinë e 20-30 metra është lehtësisht e aksesueshme pa asnjë pajisje të veçantë dhe është pothuajse tërësisht e zhdukur pa gjurmë”, tha arkitekti dhe historiani arti shqiptar Neritan Ceka, duke kërkuar masa urgjente për të mbrojtur trashëgiminë nënujore.

Ai ishte një nga të parët që kishte parë për vete thesaret e shtratit të detit.

“Pashë pasurinë e jashtëzakonshme, amforat (kana terra-cotta), qeramikë, objekte arkeologjike që nuk janë më atje,”shtoi Ceka.

Ekipet e zhytësve evropianë dhe shqiptarë “kanë filluar të plaçkitin në mënyrë barbare“, ankohet ai.

Ekspeditat e kryera që nga viti 2006 nga Fondacioni Nautical i RPM me bazë në SHBA kanë gjetur rreth 40 varka përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, duke përfshirë anijet që datojnë në shekullin e 7 pas erës së re dhe anijet detare nga Lufta e Parë Botërore dhe e Dytë.

Qindra amfora të epokës romake – të përdorura për ruajtjen e verës, vajit të ullirit dhe mallrave të tjera në enët tregtare – janë gjithashtu të grumbulluara në shtratin e detit, të mbuluara me bimë detare.

Ekspertët thonë se pa një inventar të plotë, është e pamundur të dimë se sa prej artefakteve janë zhvendosur nga shtrati i detit dhe janë shitur në tregun ndërkombëtar të trafikimit të artit.

Tregu në përgjithësi gjeneron një qarkullim global prej më shumë se 3.5 miliard euro në vit, sipas Auron Tare, i cili kryeson organizatën këshillimore shkencore dhe teknike të UNESKO mbi trashëgiminë kulturore nënujore.

Vazot mund të shiten për rreth 100 euro në Shqipëri dhe shihen në disa restorante luksoze, apo dalin në ankande për shuma më të mëdha në Londër dhe kryeqytete të tjera të artit.

Ka nga ato që kanë përfunduar në muze private në vende të ndryshme të botës, si kambana e anijes fatkeqe austro-hungareze “SS Linz”, që u mbyt në brigjet e Shqipërisë me 1.000 pasagjerë në bord, pasi u ndesh me një minë në mars të vitit 1918.

Ka edhe nga ata zhytës që kërkojnë të zhveshin anijet e shekullit të XX për shkak të çelikut të tyre të cilësisë së lartë. Çeliku i prodhuar para shpërthimeve bërthamore në botë është veçanërisht joshës, pasi nuk ka gjurmë radioaktiviteti dhe mund të përdoret për mjete delikate mjekësore dhe pajisje të tjera shkencore.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com