Aktivizmi qytetar, a gjallon ende shpirti i protestës?!

Në afro 50-vite të sistemit diktatorial, Shqipërisë i mungoi liria e grevës dhe e organizimit sindikal.

Gjatë kësaj periudhe, me fillimin e marrëdhënieve të punës, të gjithë punëmarrësit, regjistroheshin në Bashkimet Profesionale të Shqipërisë organizatën unike “sindikale” dhe e harronin ekzistencën e saj të nesërmen.

Me rënien e diktaturës, në Shqipëri rifilloi veprimtaria sindikaliste, e harruar që prej Luftës së Dytë Botërore.

Por, vit pas viti, lëvizjet sindikaliste kanë ardhur drejt zbehjes, ndonëse disa sindikata apo organizata të shoqërisë civile, vijojnë me disa protesta, ndonëse shumë të vakëta, për plotësimin e kërkesave të disa grupeve të ndryshme interesi, siç janë minatorët, naftëtarët, të rinjtë, gratë e vajzat apo të tjera si këto.

Pavarësisht kësaj, dy lëvizjet qytetare më të fundit, që kanë treguar se reagimi qytetar ende nuk ka marë fund, kanë të bëjnë me kundërshtimin e banorëve të Kukësit për të paguar tarifën për kalimin në rrugën e Kombit, apo edhe ndërtimin e inceneratorit në Verri të Fierit.

Faktet kanë treguar, se shumica e shqiptarëve protestojnë më shumë kur i thërrasin forcat politike, sesa kur kanë probleme me pagat, çmimet e larta, mungesa e shërbimeve publike, padrejtësistë që bëhen në emër të tyre etj.

Megjithatë, jo gjithmonë ndodh kështu.

Ka edhe nga ata qytetarë, të cilët padrejtësitë që iu bëhen në vendin e punës ku punojnë, gjejnë rastin dhe ngrenë zërin, për të kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse, që në fakt kanë për detyrë monitorimin e kompnive private apo shtetërore, për kushtet e punës për punëmarrësit.

E tillë është edhe historia e kësaj studenteje, Entenelës, e cila na tregon se ka punuar në një kompani call-centër për me shumë se 6-muaj, punë e cila i ka shkaktuar shumë probleme.

Entenela thekson, se mungesa e vendeve të punës e ka detyruar që t’i rikthehet asaj pune, pasi në të kundërtën nuk mund të sigurojë mbijetesën.

Përballë vështirësive, Entenela thotë, se gjithkush duhet të kërkojë më shumë për veten e tij, sidomos në rastet kur të drejtat e punëtorëve shkelen nga punëmarrësit.

Nga ana tjetër, ata që shpesh herë mbushin ndonjë sallë konferencash apo sheshin në zonën e “Ushtarit të panjohur”, janë minatorët.

Të lodhur nga jeta, nga puna e rëndë që kanë bërë gjatë sistemit diktatorial në galeritë e ndryshme, kryesisht në veri të vendit, si dhe të rrënuar nga mungesa e një trajtimi dinjitoz nga shteti, ish-minatorët prej më shumë se 25-vitesh kërkojnë miratimin e statusit që iu sjell atyre një pagë më të mirë pleqërie.

Përballja me shumë probleme ndër vite e ka zbehur reagimin qytetar të shqiptarëve. Shumë prej tyre qëndrojnë pasiv ndaj padrejtësie që iu bëhet, duke mos e ngritur zërin.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, thotë se ish-minatorët prej dekadash janë një shembull real dhe shumë konkret, sesi duhet të ptrotestohet për të drejtat, ndërkohë që fajëson qeverinë për politikat që po ndjek, që në fakt, sipas tij, janë një motiv më shumë për të protestuar.

Për aktivistët e shoqërisë civile, të cilët i shohim në krye të organizimeve për probleme të ndryshme që shfaqen, që në fakt janë në minorancë, thonë se, shqiptarët kanë 1001 arsye për të protestuar, por se ata duhet të ringjallin tek vetja ndjenjën e reagimit qytetar.

Për Mirela Jorgon, avokatja që po mbron Velierën e Durrësit, Detin apo edhe shumë çështje të tjera që prekin drejtpërdrejtë Shqipërinë dhe shqiptarët, “mëkatet” e qeverisë aktuale janë një motiv shumë i fortë për të protestuar, por sipas saj, shqiptarëve i duhet një shpresë, por nuk e shikon tek opozita aktuale, e cila, sipas saj, duhet të bëjë një opozitë më të fortë ndaj qeverisë.

Shqipëria aktualisht po përballet me shumë probleme, që kanë të bëjnë me: Nivelin e ulët ekonomik, borxhin e rritur, papunësia, dhënia me koncension e shumë shërbimeve publike etj.

Përballë kësaj situate, industritë që gjenerojnë vërtet me mijëra vende pune, por perceptohen si më problematiket, përsa i përket krijimit të kushteve të duhura për punë janë Call-Centerat, fasonët dhe minierat.

Call center është një ndër industritë që vitet e fundit është zgjeruar shumë në Shqipëri, duke gjeneruar vende pune kryesisht për të rinjtë.

Sipas një studimi për këtë industri, mbi 30% e të punësuarve kanë pohuar se kanë probleme shëndetësore dhe të sigurisë të shkaktuara nga procesi i punës.

Punonjësit e kompanive call-centers janë shprehur për mjaft shkelje me të drejtat dhe kushtet e punës: 99% e tyre kanë me punëdhënësin kontrate pune me afat të pacaktuar. Afro gjysma e tyre punojnë me kohë të pjesshme, më pak se dita normale e punës, por nuk paguhen me shtesa për orët e punës në mbrëmje.

Në këtë industri ka shumë mungesa sa u takon marrëdhënieve dhe kushteve të punës, mjedisit dhe orëve të punës, pagesave të orëve shtesë, pushimeve të nevojshme për këtë proces stresant pune.

Prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve me material porositësi, të njohur ndryshe si fasonët është një tjetër industri, që punëson me mijëra njerëz sot në Shqipëri, kryesisht gra dhe vajza të paarsimuara. Por në një pjesë të kompanive kushtet mungojnë dhe nuk garantohen shumë nga të drejtat që njihen me ligj.

Sipas studimeve, në disa fabrika kushtet e punës janë të mira, por në shumë prej tyre ka mungesa të theksuara, cilësi të kushteve të punës e disa prej fabrikave janë larg kushteve të denja të punës. Zakonisht në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe tekstileve gratë punojnë në kapanone, shumë afër njëra tjetrës, në mjedis të ndotur nga papastërtitë dhe zhurma.

Punonjësit në këto fabrika, megjithë të drejtat, nuk kanë mundësi të organizohen dhe të ankohen për kushtet e punës.

Sektori minerar është një tjetër industri që ka probleme me kushtet e punës. Ende sot në galeritë e vendit humbasin jetën minatorë, që në të shumtën e rasteve janë jo të specializuar.

Pavarësisht këtyre problemeve, shqiptarët më së shumti protestojnë kur partitë politike i thërrasin, çka në fakt është një tregues i qartë i varësisë së tyre tek politika, ku përfshirja në forume mbetet e vetmja alternativë për t’u punësuar.

Sipas studimeve më të fundit, më shumë se 50 për qind e të rinjve janë të gatshëm të emigrojnë jashtë vendit dhe afërsisht po aq mendojnë se përmirësimi ekonomik i Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme do të jetë modest, por gjithsesi, sipas tyre, ajo mund të jetë anëtare e BE-së brenda dekadës së ardhshme.

Vetëm 10 për qind e tyre janë të interesuar për politikën, dhe po aq besojnë se vota e tyre ka rëndësi për mënyrën se si drejtohet qeverisja qendrore. Të rinjtë shqiptarë janë mjaft aktivë në procese zgjedhore; ata marrin pjesë nëpër fushata dhe 93 për qind e tyre votojnë rregullisht, por vetëm 3 për qind e tyre ndjehen të përfaqësuar në politikë prej të rinjve.

Përballë situatës së krijuar në vend, që në fakt nuk është zgjidhur nga asnjë qeveri në 28 vite demorkaci, ndërkombëtarë vijopjnë të flasin qartë, për borxhin publik, taksat e rritura, emigracionin, problemet strukturore të ekonomisë, ku kërkojnë që qeveria shqiptare të ndërmarrë politika në shërbim të konsolidimit fiskal, rritjes së efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike si dhe duhet të rrisë eficencën në luftën kundër korrupsionit.

Prona, taksat e larta, mungesat e infrastrukturës lidhëse, informaliteti i lartë, vështirësia për të marrë financim dhe kapitali i dobët njerëzor janë pikat nevralgjike që e lënë Shqipërinë pas në garën për një ekonomi të shëndoshë dhe rritje ekonomike në dobi të shoqërisë.

Por, shoqëria shqiptare vijon të tregohet neglizhente për mënyrën sesi po menaxhohet vendi, duke lënë në dorë të politikës çdo vendimmarje, madje edhe fatin e vendit dhe brezave të ardhshëm.

/Flutura Tota/

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com