Arsimi profesional, të rinjtë që duan punë dhe zanate

Kryeministri Rama ka parë si kalë beteje në luftën e papunësisë arsimin profesional. Që në mandatin e parë qeverisës, bindja së cilës i qëndron edhe sot është se në Shqipëri ka punë, por ska profesionist dhe zanatçinj, ndërkohë që uria e tregut të punës, siç theksoi edhe në panarin e tretë të arsimit profesional, që u zhvillua nga data 20-22 prill në Tiranë, mund të shuhet vetëm me zanate. Duke folur me statistika për arsimin profesional, Kryeministri Edi Rama tha se ata që kryejnë arsimin profesional kanë 20% më shumë mundësi punësimi se ata me diplomë universiteti.

Aktualisht, në vend janë 19 mijë të rinj që ndjekin shkollat profesionale në qytetë të ndryshme të vendit, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Berat, Korçë etj. Drejtuesit e tyre thonë se regjistrimet kanë ardhur në rritje për çdo vit, madje tashmë këto shkolla nuk shihen më vetëm si drejtime arsimi për djemtë, por edhe për vajzat.

Ofrohen një shumëllojshmëri zanatesh duke filluar nga mekanika, hidraulika, hoteleri-turizmi deri te artizanati. Për drejtuesit e shkollave, arsimi profesional ofron shanse të sigurta punësimi për të rinjtë. Madje marrëdhënia e tyre me punën nis që kur ata janë ende në bankat e shkollës dhe zhvillojnë praktikën në kompani dhe biznese të ndryshme.

Vetë të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional thonë se vendimin e kanë marrë për një të ardhme më të mirë, që më së pari një shkollë e tillë tu sigurojë mundësinë e punësimit. Ndonëse janë në hapat e parë të zanatit që kanë zgjedhur, ata besojnë se do të vazhdojnë të ecin në këtë rrugë.

Në Tiranë është zhvilluar panairi i tretë i shkollave profesionale, të cilin nuk kanë munguar as projektet inovative. Nxënësit e Shkollës Industriale Pavarësia në Vlorë sollën në panair modelin e shtëpie ekologjike inteligjente, e ndërtuar me sistem elektrik dhe hidraulitik të pavarur nga rrjeti, ku nuk mungon as interneti. Një tjetër projekt inovativ, qyteti smart, që mund të zbatohet në zonën e plazhit në Lezhë ishte ai i shkollës “Kolin Gjoka”, por që ky të bëhet realitet duhet mbështetje financiare.

Në të gjithë vendin funksionojnë 44 shkolla publike profesionale, ku nxënësit arsimohen dhe pajisen me kompetenca të përgjithshme dhe profesionale.Në funksion të strukturës mësimore, nxënësit mund të punësohen pa përfunduar ciklin e plotë të arsimimit, ose kur e përfundojnë të plotë atë dhe kryejnë Maturën Shtetërorë, mund të ndjekin Arsimin e Lartë.

Nga Jonida Tashi

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com