Basha: Llalla duhet të qëndrojë në detyrë deri sa të zgjidhet Kryeprokurori i ri

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e quajti zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm si shkelje të Kushtetutës e cila nuk e parashikon këtë institucion në asnjë nen të saj. Basha tha se nuk do të takohet kurrë me Ramën për të shkelur Kushtetutën dhe se kryprokurori i ri, duhet të kalojë vettingun dhe duhet të zgjidhet me 84 mandate.

“Nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me 3/5 e votave, me vetting”.Vetëm kjo është mënyra që  kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në bashkëbisedimin me gazetarët kërkoi që të zgjidhet Kryeprokurori i ri i përkohshëm.

Pasi lexoi nenet e Kushtetutës, Basha tha se Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk është institucion që parashikohet në Kushtetutë.

Basha: Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë për periudhë tranzitore dhe institucione të përkohshme.Çdo institutucion i papërfshirë në Kushtetutë i përkohshëm apo tranzitor i çfarëdo ligji, i krijuar me çfarëdo ligji, është antikushtetues dhe nuk ka asnjë vlerë, zero vlerë, zero.

Në kushtet kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende, zgjidhja kushtetuese për Bashën është të presim të krijohet ky institucion dhe ndërkohë Adriatik Llalla të qëndrojë në detyrë deri sa të zgjidhet Kryeporkurori i ri.

Basha: Natyrisht që vendi duhet të ketë Kryeprokuror dhe në kuptimin e vazhdimësisë, parimin e vazhdimësisë së institucioneve siç është konstatuar nga të gjithë ekspertët tashmë, sakohë që një kryeprokuror i ri nuk është zgjedhur apo emëruar, Kryeprokurori në detyrë do të vazhdojë të mbajë detyrën përndryshe ai vetë konsumon një vepër penale.

Nëse maxhoranca vazhdon me procedurën e zgjedhjes së Kryeprokurorit kundër frymës së Kushtetutës, siç ka nisur, Basha paralajmëroi se Partia Demokratike do të ndërmarrë hapa ligjorë dhe politikë si protestat popullore.

Basha theksoi se do të ketë gjithmonë përgjigje negative për kërkesën për dialog nga Kryeministri.

Basha: Nëse vendos ta konsumojë këtë shkelje kushtetuese nuk janë vetëm hapat institucionalë që opozita ka detyrë dhe do ti hedhë por mbi të gjitha janë hapat politikë që na lindin ne si detyrë, si opozitë. Por që i lindin çdo qytetari, kjo pastaj është çështje e çdo qytetari jo vetëm e opozitës. Pakti i 22 korrikut është pakti për reformën në drejtësi. Çfarë pakti tjetër kërkon, kërkon të shkelë Kushtetutën, reformën në drejtësi, prandaj kërkon pakt. Që unë të bëhem bashkë me të për të shkelur Kushtetutën dhe reformën në drejtësi, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, kurrë. 

Për kreun e Partisë Demokratike, Kryeprokurori i përkohshëm i shërben kryeministrit Rama për të mbyllur dosjet e korrupsionit, ndërsa thirrjet e ambasadorëve të SHBA dhe BE, Basha i sheh si thirrje për të zbatuar Kushtetutën dhe jo për ta shkelur atë.

Basha: Thirrjet për të zbatuar Kushtetutën nga kushdo që të vinë janë jo vetëm të mirëpritura por edhe në unison me qëndrimin e opozitës. Për mua është e paimagjinueshme që ne të na kërkohet shkelja e Kushtetutës. Dhe përgjigjia nëse na kërkohet kjo, do të ishte e thjeshtë dhe e qartë.

Basha e cilësoi opinionin e OPDAT dhe EURALIUS si të pavlefshëm pasi këto misione nuk kanë tagër të interpretojnë Kushtetutën.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com