BE “i jep afat” Serbisë rreth Kosovës

Një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në formën e një traktati ligjërisht të detyrueshëm, është “urgjent” për BE-në, sipas një versioni pune të Strategjisë së Zgjerimit të BE.

Kështu së paku shkruan “Vecernje Novosti”, i cili medium thotë se kishte qasje në dokumentin që zyrtarisht është menduar të paraqitet në shkurt, sipas të cilit një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për perspektivën evropiane për Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin më të gjerë.

Në këtë drejtim, shtohet më tej, përcjell Telegrafi, vërehet se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të intensifikojë angazhimin në lehtësimin e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të arrihet normalizimi i marrëdhënieve në formën e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht.

Strategjia gjithashtu përfshin një “ilustrim tregues” të hapave që kërkohen për të përfunduar procesin e pranimit të Serbisë në BE deri në vitin 2025, që është skenari më i mirë.

Kështu, së paku deri në fund të vitit 2019, ndër të tjera, shkruan mediumi serb, Beogradi duhet të plotësojë kriteret kalimtare sipas Kapitullit 35, që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Serbia dhe Kosova, së paku nga kjo fazë, duhet të arrijnë një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, të cilat duhet të hapin rrugën për përparimin e mëtejshëm thelbësor të Kosovës në rrugën e integrimit evropian”.

E gjithë kjo do të thotë që në më pak se dy vjet, Beogradi dhe Prishtina duhet të mbyllin të gjitha çështjet e diskutueshme, që vlerësohet shumë ambicioze, duke pasur parasysh ritmin e dialogut të deritashëm.

Megjithatë, ky medium shkruan se besohet se nuk është e pamundur të arrihet marrëveshja me Prishtinën deri në fund të vitit të ardhshëm, por me “ndihmën” e shteteve me ndikim. /Telegrafi/

Integrimi evropianKosovaSerbia

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com