BE paralajmëron sërish Kosovën rreth Gjykatës së Posaçme

Përmes një njoftimi për mediat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe misionet e vendeve anëtare  të pranishme në Kosovë kanë drejtuar sërish thirrje serioze kundrejt nismës se deputetëve, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Në reagim paralajmërohet se çdo përpjekje për të shfuqizuar apo ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara do të rrezikojë seriozisht përkushtimin e bllokut europian ndaj Kosovës.

Madje theksohet se me miratimin e këtij projekti do të vihet në rrezik edhe puna e arritur deri më tani për sundimin e ligjit në vend.

“Nisma do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me bllokun europian dhe tashmë është kthyer në një shqetësim tejet të madh për ne dhe vendet anëtare”, thuhet në deklaratën paralajmëruese të BE-së.

Ndaj Zyra e Bashkimit Europian u drejtoi thirrje 43 deputetëve të Kosovës që të tërhiqen nga projektligji i cili është paraqitur për votim në Kuvend.

Duke vlerësuar dhe deklaratat e kohëve të fundit nga liderët politikë, duket se ndërkombëtarët kanë mbështetur komentet më të fundit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ka thënë se Gjykata Speciale mund të jetë tejet e dëmshme, por është një proces i pashmangshëm që duhet të ndodhë.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com