Çështja e emrit, Zaev: Procesi i zgjidhjes kërkon përgjegjësi politike

Liderët shtetërorë dhe politikë në Maqedoni kanë zhvilluar një takim ku në qendër të diskutimeve janë vendosur propozimet e ndërmjetësit të OKB Matthew Nimetz sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë. Në takimin ku i pranishëm ishte edhe presidenti Gjorge Ivanov, liderët kanë folur me tone optimiste se mund të arrihet një konsensus kombëtar për çështjen.

Për kryeministrin Zoran Zaev, procesi në fjalë kërkon përgjegjësi politike. Zgjidhja e problematikës 25-vjeçare të emrit sipas Zaev i siguron Maqedonisë rrugën drejt familjeve perëndimore dhe konsensusit kombëtar.

Megjithatë Zaev bëri thirrje për kujdes në komente, me qëllim mos-dëmtimin e procesit të bisedimeve. Udhëheqësi opozitar i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski deklaroi se partia e tij mbështet integrimin, por është e gatshme të mbrojë interesat kombëtare. Pozitiv ishte ky takim edhe për BDI-në, partinë e vetme shqiptare pjesëmarrëse në këto diskutime. Lideri Ali Ahmeti e konsideroi takimin si një prej më të frytshmëve, ndërkohë që vlerësoi dialogun dypalësh për gjetjen e një zgjidhjeje.

Kjo mbledhje e krerëve të shtetit vjen pas takimit të kryeministrave Zaev e Alexis Tsipras në Davos, ku dy liderët theksuan nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit. Kujtojmë se në shenjë të vullnetit dhe përkushtimit për përfundimin e kësaj çështjeje, Maqedonia do të ndryshojë emrin e aeroportit të Shkupit dhe autostradës që mbajnë emrin e Aleksandrit të Madh.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com