Debati për udhëheqjen e BE, kandidati më i avantazhuar Manfred Weber i PPE-së

Debati për udhëheqjen e Komisionit Europian në vitet e ardhshme u fokusua të mërkurën te krijimi i vendeve të reja të punës, ndryshimet klimatike dhe rreziku i shpërbërjes së unionit. Gjashtë kandidatët kritikuan disa nga politikat aktuale të presidentit në largim, Jean-Claude Juncker.

Gjashtë kandidatët për presidencën e Komisionit Europian përplasën të mërkurën pikëpamjet e tyre rreth së ardhmes së unionit.

Manfred Weber, lideri i Partisë Popullore Europiane dhe figura më e përfolur për udhëheqjen e Komisionit, e vuri theksin te rikthimi i stabilitetit ekonomik në bllokun europian.

Në debatin 90-minutësh, Manfred Weber premtoi raporte të reja me Afrikën për të kontrolluar emigracionin dhe një plan prej 10 pikash në interes të qytetarëve europianë.

Zv.presidenti aktual i Komisionit Europian, socialisti Frans Timmermans, tha se Bashkimi Europian duhet të aplikojë një rrogë minimale të njëjtë anembanë kontinentit për të siguruar rritjen ekonomike, ndërsa theksoi ndërmarrjen e politikave konkrete për të ndalur shpërbërjen e unionit.

Nico Cue, i grupimit të majtë europian e vuri theksin te punësimi i të rinjve, ndërsa konservatori dhe reformisti Jan Zahradil, kërkoi që Bashkimi Europian të mos rritë pushtetin dhe të luajë më tepër një rol mbikëqyrës, duke lejuar bizneset të krijojë vende të reja pune.

Anëtarja e të gjelbërve europianë, Ska Keller, këmbënguli që politikat mjedisore të hyjnë në fuqi sa më shpejt dhe të rritet përfaqësia e grave në Parlamentin Europian për të përfaqësuar më drejt shoqërinë.

Ndërsa për liberalen daneze Margrethe Vestager, Europa duhet të bëjë më shumë për të detyruar kompanitë e mëdha të internetit të paguajnë një taksë të drejtë dhe shpalosi vizionin e saj për ta bërë kontinentin bllokun më të madh ekonomik të botës.

Gjashtë kandidatët do i përballin platformat e tyre në zgjedhjet europiane që mbahen në datat 23 deri 26 maj, dhe fituesi mes tyre do të ketë si vartës mbi 30 mijë punonjës për të propozuar ligjet e reja të Europës.

Tags ,

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com