Denoncimi: Autoshkolla fantazëm po shesin patenta për 2 mijë lekë

Autoshkolla “fantazëm”, të cilat pasi marin licencën janë jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore po shesin në mënyrë të paligjshme patenta vetëm për 2 deri në 3 mijë lekë nga 23 deri në 35 mijë që varion kursi i patentës. Denoncimi vjen nga kreu i Shoqatës së Autoshkollave, Tonin Gjinaj, i cili thotë se për këtë situatë është vënë në dijeni ministri i Transporteve, Damian Gjiknuri dhe Kryeministri Edi Rama.

Tonin Gjinaj: “Ka shumë autoshkolla fantazëm që janë edhe pjesë e Drejtorisë, që regjistrohen drejtor apo punonjës të Drejtorisë së Transportit. Vetë i regjistrojnë, vetë i kalojnë 100% dhe këto autoshkolla kanë prishur barazinë në treg. Deklarojnë te tatimet 2 mijë lekë patentën, 20 mijë lekë të vjetra ose 30 mijë lekë. I kemi dërguar letër, ka dy muaj, ministrit Gjiknuri, kryeministrit Edi Rama dhe ja kemi dokumentuar me dhjetra-dhjetra shkelje. Bien në vesh të shurdhër sepse këta janë bërë palë me paaftësinë, me autoshkollat fantazëm. Janë bërë palë me njerëzit të cilët shesin leje drejtimi, por nuk përgatisin kandidatë për leje drejtimi”

Ndërkohë, nga 1 marsi është ndryshuar pyetësori i teorisë për marrjen e lejes së drejtimit vetëm për autoveturat. Gjinaj sqaron se nga testi janw hequr 3 mijë pyetje asnjëanëse, që bëheshin shkak për të ngelur masivisht kursantët në teori. Kreu i Shoqatës së Autoshkollave kërkon që të rishikohet procedura e dhënies së lejeve të drejtimit për mjetet e transportit të mallrave dhe të udhëtarëve.

Tonin Gjinaj: “Është ndryshuar pyetësori i lejes së drejtimit vetëm për kateogrinë ‘B’. Janë hequr 3 mijë pyetje, kanë qenë të pasakta dhe jo të domosdoshme në pyetësor, pasi kalueshmëria nuk e ka kaluar 25% me pyetësorin e vjetër. Është e tmerrshme që sot pyetësori i kategorisë ‘C’ ose mallra’, ‘D’, dhe sidomos CAP-i, e them me përgjegjësi të plotë që çdo inxhinier që merr në prova, po të shkojmë ta marrin në provim për CAP-in, nuk e kalojnë provimin e teorisë”.

Edhe pas rishikimit të testit të teorisë për patentën, sërish numri i gabimeve për tu skualifikuar do të vijojë të jetë po 4.

/Jonida Tashi/

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com