Durrës, u grabit zyra e prokurorit Afrim Shehu, dosjet e rëndësishme që hetonte

Zyra e prokurorit që heton skandalin e pronave në Ishëm por edhe zyrtarë të pushtetit lokal e qendror në Durrës ra pre e vjedhjes  në orët e para të së enjtes. Prokuroria ka dyshime se pas grabitjeve të bujshme që organit të akuzës në Durrës është një grup i strukturuar kriminal. Dosjet të zyrtarëve të lartë nën hetim u grabitën mbrëmjen e kaluar nga persona që u futën në zyrën e prokurorit Afrim Shehu, ndërsa më pas dëmtuan serverin qëndor dhe sistemin e kamerave të sigurisë. Mister mbetet mënyra si ata arritën të futen brenda prokurorisë, çka ka përforcuar dyshimet për një bashkëpunëtor të brendshëm, të autorëve të grabitjes në institucion.

Dosjet e korrupsionit dhe abuzimit me pronat në bregdet ishin shenjestra e vjedhjes brenda ambienteve të prokurorisë së Durrësit.

Ngjarja dyshohet se ka për autorë një grup të strukturuar kriminal për të cilin tashmë ka nisur hetimi.

Me këtë akuzë, grupi i hetimit ka regjistruar procedimin për vjedhjen e dokumenteve brenda Prokurorisë së qytetit bregdetar në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Dëmtohet serveri, vidhen dosjet nën hetim nga Task-Forca

Autorët dëmtuan serverin qëndror të prokurorisë së Durrësit gjatë natës ku morën dokumente hetimore në dosjen e prokurorit Afrim Shehu dhe një oficeri të Policisë gjyqësore.

Mes dokumenteve të vjedhura mësohet se janë shkresa të dosjes hetimore për skandalin e tjetërsimit të tokave në zonën e Ishmit.

Një burim i hetimit tha se shkresat e dosjeve të tjera ishin hedhur në kosh dhe ishin lënë në mënyrë të çrregullt në zyrën e prokurorit të Task-Forcës.

Ky i fundit po heton abuzimin me pronat në bregdet dhe ka në dorë dosje për disa institucione të rëndësishme siç është porti, dogana, bashkia, hipoteka por edhe një sërë grupesh kriminale të cilët dyshohen se ushtronin aktivitetin e pastrimit të parave.

Në largim autorët kanë marrë edhe pajisjet CD ku janë regjistruar pamjet e kamerave të sigurisë gjatë kohës së vjedhjes.

Policia ka shoqëruar rojet private të sigurisë që ruanin Prokurorinë dhe pastruesen që zbuloi e para grabitjen.

Perdoren kartat CIP

Dyshohet se autorët hynë nga dera kryesore, por fakti që nuk ka shenja dhune ka ngritur dyshime se ata kishin kartën e posaçme që përdoret për të hapur derën kryesore.

Në këto kushte, hetuesit kanë ngritur dyshimin për një vjedhje nga persona të brendshëm ose autorët kanë bashkëpunuar me punonjës të organit të akuzës.

Një tjetër dyshim është se autorët u futën në prokurori duke shfrytëzuar një kabinë prapa organit të akuzës, nga ku kanë hyrë përmes dritareve të katit të dytë.

Dyshime se autorët patën bashkëpunëtor në Prokurori

Pista e bashkëpunëtorit të brendshëm përforcohet edhe nga fakti se autorët e dinin ekzaktësisht zyrën ku ndodheshin dosjet, serveri i institucionit dhe dhoma e kamerave të sigurisë.

Dyshime se pas vjedhjeve është një grup i strukturuar kriminal

Autorët dyshohet se janë i njejti grup që më 8 maj grabitën postën sekrete të prokurorisë së Durrësit, ku edhe në atë kohë u raportua për lëvizje dokumentesh të rëndësishme në hetime.

Në funksion të hetimit u sekuestruan kamerat e sigurisë dhe ekspertët kqyrën të gjithë institucionin, por burimet thonë se autorët e grabitjes nuk kanë lënë asnjë gjurmë.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com