Dy shpërthime me makina-bombë në Somali

Dy makina-bombë në kryeqytetin somalezë vranë gjashtë persona dhe plagosën të paktën pesë të tjerë të dielën, thanë dëshmitarët.

Sipas burimeve mjekësore, një nga makina-bombë shpërtheu në një pikë kontrolli të rëndësishme në Mogadishu, duke vrarë katër vetë dhe duke plagosur së paku katër të tjerë.

Dëshmitarët thanë se makina, e drejtuar nga një sulmues vetëvrasës, u përplas me shpejtësi të lartë në pikën e kontrollit, pasi një ushtar e sinjalizoi atë për të ndaluar. Sipas dëshmitarëve, ushtari u vra menjëherë.

Tre civilë u vranë gjithashtu, së bashku me sulmuesin.

Ambulancat nxituan në vendin e ngjarjes dhe evakuuan të vdekurit dhe të plagosurit. Kreu i shërbimit të ambulancës në Mogadishu, Dr. Abdulkadir Abdirahman Aden, konfirmoi numrin e viktimave për shërbimin somalez të Zërit të Amerikës.

Shpërthimi ndodhi në një zonë të mbrojtur mirë të qytetit. Pika e kontrollit të çon në një numër të rëndësishëm institucionesh, përfshi Ministrinë e Brendshme, Parlamentin dhe një pikë kontrolli tjetër të përdorur nga forcat e sigurisë për të mbrojtur pallatin presidencial.

Më parë të dielën, një tjetër makinë-bombë shpërtheu pranë një pike kontrolli të sigurisë pranë Mogadishut, duke vrarë sulmuesin dhe duke plagosur një oficer policie. Policia tha se makina shpërtheu ndërsa po e ndiqnin.

Shpërthimet e së dielës vijnë vetëm tre ditë pasi një tjetër makinë-bombë vrau 17 vetë në Mogadishu dhe plagosi tetë të tjerë në rrugën më të ngarkuar të qytetit.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com