Gent Cakaj qëndroi 7 muaj pa certifikatë sigurie si zv.ministër i Jashtëm

Krahas mungesës së përvojës dhe deklaratave të rrezikshme mbi ndryshimin e kufijve, kandidatura për Ministër i Punëve të Jashtme Gent Cakaj rezulton të ketë kryer edhe shkelje penale duke rrezikuar sigurinë e vendit gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Në argumentet e parashtruara në letrën drejtuar kryeministrit Rama, presidenti Ilir Meta  thotë se nga informacioni i administruar mbi verifikimin e  sigurisë dhe pastërtisë së figurës, rezulton se Gent Cakaj ka treguar mungesë papërgjegjshmërie gjatë ushtrimit të detyrës së zëvendësministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e  ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror.

Konkretisht Cakaj me VKM nr 342  me datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e zëvendësministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i të cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me cvertifikatën e sigurisë personale, me qëllimn që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar.

Por nga informacioni zyrtar nga MEPJ, DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese  rezulton se z.Gent Cakaj për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nenligjore të sipërcituara që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK   , Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm me datë 03 janar 2019(3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër te MPJ).

Meta thotë se Cakaj me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mos pajisjen me certifikatat përkatëse të sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.

Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje që çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë por njëkohësisht tregon për mungesë përgjegjshmërie në ushtrimin e funksionit publik si zv.ministër i Jashtëm si dhe një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë për të ushtruar detyrën e Ministrit të Jashtëm.

Meta thotë se procesi i certifikimit të sigurisë për Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (4 janar 2019) duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligjit.

DSIK ka për detyrë të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Përpara se të lëshohet CSP për një person që mban dy shtetësi, DSIK bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse.

Në përfundim, Meta i bën të qartë Kryeministrit, se kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe të lartësisë së kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Në këto kushte, Presidenti refuzon propozimin për emërimin e Cakaj në detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com