Gjendja në Urgjencën e QSUT-së, 67-vjeçari dy muaj në pritje për operacion në zemër

Një ditë pas kërkesës për dorëheqje të 8 mjekëve të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme në spitalin “Nënë Tereza”, puna në këtë shërbim nuk shkon aq normalisht sikurse u ankuan edhe vetë bluzat e bardha. Megjithëse mediat nuk lejohen të filmojnë brenda ambienteve të Urgjencës, fluksi i pacientëve është i dukshëm edhe jashtë dyerve të spitalit. Ajo që dëshmojnë pacientët ose familjarët e tyre është vonesa e shërbimit për shkak edhe të mbingarkesës.

“Kam sjellë nënën këtu te Urgjenca që dje në orën 9 dhe akoma s’kam marrë asnjë përgjigje. Ka shumë pacientë, s’ka shtretër, s’ka krevat, s’ka batanije, bëjnë serume dhe mjekime nëpër stola, në makina. Vetëm mbrëmë që kam qenë këtu unë këtu kanë ardhur 100 urgjenca”

“Iku urgjent dhe s’marrim vesh tani është shtruar apo nuk është shtruar, nuk dimë gjë. S’po na kthen njeri përgjigje, po na lënë te dera”

Vetëm brenda gjysmë ore në Urgjencë mbërrijnë 3 të sëmurë, ndërsa në 24 orë ky numër shkon deri në 200 pacientë. Kjo situatë duhet të përballohet nga 13 mjekë, nga 16 që duhet të ishin në shërbim. Ndërkohë që të tjerë pacientë të shtruar presin radhën prej ditësh në spital, sikurse është edhe ky 67-vjeçar nga Lushnja, i cili ka dy muaj që pret t’i nënshtrohet një operacioni në zemër, pasi më herët ka kryer edhe baypas.

“Kam dy muaj që jam shtruar këtu dhe s’po mar dot përgjigje. Kam ardhur të operohem, kam bërë një baypas më përpara, tani smë marrin përsipër, s’duan, s’më kanë ardhur. Kanë vajtur letrat andej lart nga Ministria, andej vonohen, ku di unë se çfarë po bëhet. Kemi vajtur s’po marim përgjigje. Kam ndejtur një javë këtu, pastaj jam shtruar, kam 1 muaj e gjysmë që jam lart. Tani dola të mar një ajër të pastër se vdiqa”

Lidhur me kërkesën e mjekëve për të lënë punën, qytetarët pohojnë se për kushtet e shërbimit në spital duhet të ndërhyjë shteti.

“Nuk kanë faj doktorat, fajet i kanë të mëdhenjtë, ata që nuk japin fonde”

“Nuk duhet ta lënë punën se mjekët janë të përkushtuar, por të plotësohen kushtet”

Tashmë çështja e dorëheqjes së mjekëve të Urgjencës, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së, ka marrë zgjidhje, ata do të duhet të qëndrojnë në punë. Ajo që mbetet ende pa një zgjidhje është mungesa e 3 mjekëve në këtë Urgjencë, ku pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, asnjë mjek nuk ka pranuar të shkojë.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com