Gjykata Supreme në Kosovë dënon me 3.6 vite burg një prej të akuzuarve për terrorizëm

Gjykata e Shkallës së Tretë në Kosovë ka dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, një prej të akuzuarve për pjesëmarrje në luftën e Sirisë. Albert Berisha ka vijuar një betejë të gjatë ligjore për çështjen, por përfundimisht, ai është dënuar nga organet kompetente të drejtësisë në Kosovë.

Madje, ai hapi edhe një institut për riintegrimin e personave që kanë shkuar në luftërat e Lindjes së Mesme.

Gjykata Supreme ka konstatuar se asnjëri prej të akuzuarve, Naser Avdyli, Ibrahim Reshiti, Enis Begolli, Hajdin Elezi dhe Albert Berisha, ka rrëzuar kërkesat e tyre për pafajësi.

Reagimi i Berishës në Facebook:

Për herën e tretë, sistemi gjyqësor i Kosovës tregohet i padrejtë ndaj meje duke më shpallur fajtor për terrorizëm. Tre vjet e gjysmë burg me pretendimin që i qenkam bashkuar organizatave terroriste; të njëjtat ku refuzova të bëhem pjesë pavarësisht rreziqeve. Ky dënim ndodhi për shkakun që desha të jem pjesë e popullit sirian në kryengritjen kundër kriminelit më të madh të këtij fillim shekulli, kasapit Asad.

Mbi ata që bënë padrejtësi ndaj meje do flas herë tjetër dhe në mënyrë të detajuar.

Që kur m’u ngrit aktakuza,këto tri vite kanë qenë të mundimshme për mua.Shumë pak kam marrë mbështetje nga xhemati dhe aspak nga hoxhallarët, ndaj nuk kam pritur shumë as në këtë ditë të vështirë.Por çka më habiti dhe zhgënjeu ishte gëzimi për dënimin tim nga prej ‘vllaznive xhematli’.

Nuk po flas për vëllezërit e mi të vërtetë muslimanë, por për ata që fatkeqësinë e tjetrit mundohen ta kthejnë në favorin e tyre. Ata që mezi presin që rastin tim dhe vuajtjet e të burgosurve të tjerë t’i përdorin për qëllime të rekrutimit në ideologji ekstremiste.

Këta rreshta po i shkruaj për t’iu drejtuar pikërisht kësaj kategorie, si dëshmi për muslimanët e tjerë dhe publikun e gjerë, në mënyrë që rasti im të mos përdoret si instrument për të përhapur ideologjie të terrorit dhe urrejtje mes njerëzve.

Ju që Islamin e keni mjet përfitimi, e vuajtjen e myslimanëve, argument rekrutimi. Ju thoni se “mirë po ua bën shteti i ‘tagutit’ atyre që janë kthy se e kanë braktisë xhihadin dhe hilafetin tonë”.

Dijeni që çdo dënim është më i mirë sesa jeta në një çmendinë të ngritur mbi frikën dhe gjakun e njerëzve të pafajshëm.

Ne kthyem sepse braktisëm krimin tuaj, terrorin tuaj, mizorinë tuaj, vëllavrasjen tuaj. Ne u kthyem sepse dënuam doktrinën tuaj. Atë doktrinë që ditën e mohoni dhe natën e pëshpëritni në fshehtësi.

Jeni ju ata që thoni sesi ‘shtetet e kufrit’ (shtetet e mosbesimit) i shtypin e i burgosin muslimanët. Por jeni po ju që gëzoheni nga persekutimi i tyre. Më të mira janë disa vite pas hekurave sesa një jetë e tërë me ndërgjegje të copëtuar. Çdo burg është më i mirë sesa dy duar të lara me gjakun e një fëmije.

Më mirë i ofenduar nga ju sesa pjesë e krimeve tuaja. Dhe shumë më mirë në burg përkohësisht sesa i vrarë nga ju pas shpine.

Ju i kërcënonit se po të ktheheshin do bëheshin tradhtarë dhe dënoheshin në burgje përjetësisht. Por çka ju ofroni është një jetë nën bomba dhe terror, me krim dhe intriga. Dhe krejt çka mund t’i gjejë ata u kthyen apo do të kthehen, janë disa vite burg, dhe një jetë normale në atdhe.

Ne me krenari do ta mbajmë burgun. Ndërsa ju dhe ata që ju nxitën, ju mësuan, ju ndërsyen dhe ju tjetërsuan, do jetoni në turpin tuaj. Deri në Ditën e Gjykimit.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com