Gratë të përjashtuara nga pronësia, pasuritë në dorën e burrave

Kanë punuar gjithë jetën në tokat e tyre, duke i vënë shpatullat edhe familjes, por thuajse 100% e pronave në zonën e Malësisë së Madhe zotërohen vetëm nga meshkujt, duke i lënë gratë tërësisht të varura financiarisht dhe të pafuqishme.

Një studim i kryer së fundi ka evidentuar se përtej mentalitetit të theksuar maskilist dhe indiferencës së institucioneve, në 28 vite, ligji 7501 në zonën e Malësisë së Madhe nuk është zbatuar kurrë, çka ka bërë që shumica e tokës të jetë pa certifikatë pronësie. Burrat gjithsesi janë të pajisur me nga institucionet lokale me numrin e AMTP-së, një dokument që njeh posedimin e pronës, por jo pronësinë e saj.

Eksperte e studimit, noterja Elona Saliaj: “100% e pronave zotërohen nga meshkujt, gratë vetëm punojnë në tokë. Mentaliteti maskilist është i theksuar që do të thtoë se pronat trashëgohen vetëm nga meshkujt . Evidentuam që familjet në Malësinë e Madhe mbahen për shkak se gruaja punon shumë edhe në pronën e saj edhe në shtëpi. Ligji 7501 në këtë zonë nuk është zbatuar. Banorët e zonës kanë arritur që të kthehen në pronat e paraardhësve të tyre dhe jo thjesht në pronat që u ndan  sipas Ligjit 7501” 

Mungesa e certifikatës së tokës ua ka bërë dhe më të vështirë jetesën grave në Malësinë e Madhe. Pa këtë dokument ato nuk përfitojnë dot asnjë mbështetje financiare.

Saliaj: “Ato duhet të jenë bashkëpronare, të zotërojnë pasurinë e tyre dhe nëpërmjet kësaj kanë lehtësi sociale, ekonomike, kanë mundësi që të aplikojnë për kredi të buta, për subvencione nga shteti. Ligji prezumimin e bashkëpronësisë e njeh, Kodi Civil, por zbatimi i tij është shumë i vështirë dhe është për shkak të menalitetit dhe dëshirës”

Por ky fenomen nuk i takon vetëm veriut të vendit apo zonave rurale. Të tilla raste i ndesh edhe në kryeqytet, kur në blerjen e një apartamenti, meshkujt nuk pranojnë ndarjen e pasurisë përgjysmë me bashkëshortet.

Saliaj: “Në qoftë se do të blihet një pronë, në 90% të rasteve do të jetë burri që do të ketë pronësinë dhe bashkëshortja do të jetë vetëm një aksesor që do t’i duhet atij vetëm për të nënshkruar. Kanë arritur që të kenë edhe konflikte me njëri-tjetrin, se mos kishin ndërmend për divorc, vetëm për faktin se gruaja kërkonte që të regjistrohej bashkëpronare. Për këtë fakt i kemi kërkuar edhe Zyrës së Regjistrimit që të regjistroj bashkëshorten që në momentin që blihet prona që të mos ketë konflikte në të ardhmen”

Ekspertët rekomandojnë që të përshpejtohet procesi i regjistrimit fillestar në zonën e Malësisë së Madhe, duke marrë në konsideratë ndarjen faktike të tokës sipas Kanunit dhe pronave të paraardhësve.

Nga Jonida Tashi

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com