Greqi – Rrëzohet helikopteri ushtarak me 5 persona në bord

Katër ushtarakë humbën jetën në Greqi, teksa një helikopter i aviacionit luftarak grek me pesë persona në bord u rrëzua paraditen e të mërkurës.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka identifikuar katër viktimat: një gjeneral, një kolonel, një major dhe një toger. Nga aksidenti ka mbijetuar vetëm një nëntogere, gjendja shëndetësore e së cilës konsiderohet e rëndë.

Fillimisht u njoftua se helikopteri i tipit UH-1H Huey (Hjui), u zhduk nga radarët në orën 07:50 të së mërkurës.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, helikopteri ishte nisur nga një bazë ajrore në Larisa, me destinacion qytetin e Kozanit, në veri të vendit.

Fluturimi kishte qenë i programuar dhe në bordin e tij ndodheshin pesë persona, tre pjesëtarë të ekupazhit dhe dy oficerë të lartë.

Sipas mediave greke, njeri prej oficerëve ishte nënkomandanti i armatës së parë të FA.

Katër orë më vonë, agjencia zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, në një njoftim tepër lakonik, bënte me dije se helikopteri u lokalizua në vendin e quajtur Sarantaporos, rreth 50 km nga qyteti i Kozanit.

Agjencia bënte gjithashtu me dije se në vendgjarje kanë mbërritur ekipet e shpëtimit. Helikopteri thuhet se ka rënë në një zonë malore.

Në të njëjtën zonë, në 1976, ishte rrëzuar dhe një avion i kompanisë greke të fluturimeve, Olimpik dhe të 46 personat që ndodheshin në bord kishin gjetur vdekjen.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com