Greqia kundër Tusk për kuotat e emigrantëve, paralajmëron viktima nga të ftohtit

Komisioneri Europian për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos e ka cilësuar si të papranueshëm propozimin e kreut të Këshillit Europian, Donald Tusk, për heqjen e kuotave të shpërndarjes së refugjatëve ndërmjet vendeve anëtare.

Sipas mediave, Tusk do ta paraqesë propozimin e tij në samitin e BE-së, të enjten dhe për këtë ka informuar me një letër liderët europianë.

“Pozicioni im është i qartë. Letra e Tusk është e papranueshme. Është antieuropiane dhe injoron gjithë punën që kemi bërë bashkë tre vitet e fundit”, deklaroi Avramopulos gjatë një konference për shtyp në Strasburg.

Në rast se propozimi i Tusk diskutohet gjatë samitit, kryeministri grek Aleksis Tsipras pritet ta kundërshtojë me vendosmëri.

Edhe pse programi i rivendosjes së refugjatëve ecën mjaft ngadalë që nga shtatori 2015 kur filloi, Greqia e konsideron këtë program si një instrument që ndihmon të përballet mbipopullimi me refugjatë, që mbetet në ishujt e detit Egje, por edhe në kampet e ndërtuara në pjesën kontinentale të vendit.

Me ardhjen e dimrit, situata bëhet edhe më e vështirë.

Gazeta ‘The Telegraph’, e cilëson si “sekretin e pistë të Europës” gjendjen në kampin më problematik të refugjatëve, në Moria të ishullit Lesbos.

I dërguari i gazetës britanike, që e pa në vend situatën, e përshkruan me ngjyrat më të zymta. Në këtë kamp, me kapacitet 2.000 veta, jetojnë aktualisht 7.000 refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Iraku.

Gazeta vëren se ardhja e dimrit mund të vejë në rrezik jetën e refugjatëve, që detyrohen të djegin sende plastike për t’u ngrohur.

Ministri grek i Emigracionit, Janis Muzalas, i deklaroi revistës ‘Der Spiegel’, se deri në 15 dhjetor do të jenë marrë të gjitha masat për të përballuar dimrin në kampin e Morias, ku vitin e kaluar pati edhe vdekje refugjatësh nga të ftohtit.

Megjithatë, i pyetur nga revista gjermane nëse e përjashton mundësinë të të ketë përsëri viktima, Muzalas përgjigjet: “Jo, nuk mund ta them. Ajo që mund të garantoj është se po bëjmë gjithçka që ta evitojmë një situatë të tillë”.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com