Hetimet – Kapja e 1.3 ton kanabis në Kavajë, 5 në pranga. Prokuroria zbardh rolin e tyre

Të paktën 5 persona janë përfshirë në tentativën për trafikimin e rreth 1.3 ton kanabis sativa, e cila u zbulua tri ditë më parë në zonën e bregdetit të Kavajës.

Prokuroria sqaron se janë krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen në trafik të 5 shtetasve.

Në pranga kanë përfunduar Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu, ndërsa më vonë janë arrestuar shtetasit Aristotel Kasaj dhe Arvis Muçaj.

  “Mbrëmjen e së enjtes, Policia e Kavajës zbuloi një dy mjete, një furgon dhe një fuoristradë Land Rover, një sasi prej 1350 kg lëndë narkotikë (konkretisht, 1 ton u gjet në furgon dhe 350 kg në mjetin fuoristratë “Land Rover”). Personat që gjendeshin në këto dy mjete janë larguar me shpejtësi. Në vijim të veprimeve policore, u shoqëruan në Komisariat 3 shtetas, të cilët gjendeshin në një veturë tip SAAB, pranë vendin ku u gjet lënda narkotike. Këta shtetas u identifikuan si: Kejvi Hajdari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj”, sqaron deklarata.

Gjatë veprimeve vijuese, grupi hetimor sekuestroi edhe dy automjete të tjera, njëra veturë Toyota dhe tjetra kamionçinë, si edhe shumë pranë bregut të detit, një skaf me dy motorë, i lidhur me një zetor që shërbente për tërheqjen e tij. Pra, në total, deri në këtë fazë hetimore, janë sekuestruar 7 mjete lëvizëse, nga të cilat dy vetura, një fuoristradë, një furgo, një kamionçinë, një zetor dhe një skaf.

Prokuroria sqaron gjithashtu se pa marrjes në pyetje të tre personave të shoqëruar, janë identifikuar edhe dy të tjerë që kanë përdorur mjetin fuoristradë

Nga hetimet, Prokuroria sqaron:

– Shtetasit Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu kanë deklaruar se janë nisur nga Tepelena me mjetin tip Saab, të drejtuar nga Kejvi Hajdari, për t’u ulur për drekë në Kavajë. Pasi kanë përfunduar drekën, në mbrëmje vonë janë nisur për t’u kthyer, por kanë humbur rrugën në zonat rurale të Kavajës. Ata kanë konstatuar një patrullë policore, të cilët e kanë pyetur për rrugën, por në këtë moment, ata janë shoqëruar nga ana e Policisë. Ata mohojnë përfshirjen në trafikun e narkotikëve.

Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se:

– Për shtetasit Kejvi Hajdari- ai deklaron se ka qenë nën drejtimin e mjetit Saab, por rezulton se ai ka përdorur gjatë ditës së enjte edhe kamionçinën, e sekuestruar tashmë, e cilat gjendej e mbyllur pranë një karburanti në Kavajë.

– Për shtetasin Roland Hysenbelliu- ai deklaron se ka qenë pasagjer në mjetin e drejtuar nga Kejvi Hajdari dhe ishin për drekë shoqërore në Kavajë. Ndërkohë, në Kavajë është gjetur një tjetër mjet i mbyllur, Toyota, i cili rezulton të jetë blerë nga një familjar i tij rreth dy muaj më parë në Tepelenë.

– Për shtetasin Joni Sadikaj- në furgonin ku u zbulua 1 ton lëndë narkotike, u gjet edhe një kartë telefonie celulare. Në bazë të veprimeve hetimore, rezultoi se kjo kartë është blerë në Tepelenë nga një shtetas, i cili nuk e kishte përdorur asnjëherë, por ia kishte dhënë shtetasit Joni Sadikaj.

Ndërkohë, pas ndalimit të tre personave të mësipërm, prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ndalimin edhe të shtetasve: Aristotel Kasaj dhe Arvis Muçaj.

Këta dy shtetas rezultojnë të kenë lidhje me pronësinë e mjetit tip fuoristradë, në të cilën u gjend rreth 350 kg lëndë narkotike. Në deklarimet e tyre, ata kanë mohuar të jenë përfshirë në veprimtarinë e trafikimit të lëndës narkotike. Gjithësesi, ata kanë dhënë dëshmi mbi tjetërsimin e pronësisë së mjetit, të cilat duhen verifikuar.

Në bazë të këtyre elementëve, por edhe të tjera të dhëna të cilat përbëjnë sekret hetimor, Prokuroria për Krime të Rënda dyshon se këta persona, në bashkëpunim me të tjerë, janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të “Trafikut të lëndëve narkotike”.

Kapja e 1.3 ton kanabis në Kavajë, dalin në dritë të tjera fakte

Kavajë, kapen 1.3 ton kanabis, në pranga djali i inspektorit të policisë Peqin

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com