Hiqet nga puna mësuesja e muzikës me 17 vite punë

17 vite punë si mësuese muzike nuk i kanë mjaftuar Ministrisë së Arsimit, që Donika Berisha, të vazhdonte të ishte pjesë e stafit pedagogjik në shkollën 9-vjeçare “Kamza e re”.  Përpos ekpseriencës, mësuesja që sot ka fituar dy shkallët e kualifikimit dhe mban titullin “specialiste”, ka një jetë e lidhur me muzikën, e cila nis që në moshën 6-vjeçare kur ka prekur për herë të parë violinën.

Donika Berisha: “Kam mbaruar Liceun Artisitik për violinë. Unë e kam filluar që 6 vjeçe violinën, që nga klasa e parë. Pasi kam mbaruar Liceun, kam vazhduar punë direkt si mësuese violine 5 vjet, pastaj në Kamëz. Aty jepja muzikë dhe art pamor. Orët i kam pasur të plota, aktivitetet dhe klasë kujdestari. Në datën 23 janar më thërret drejtori në zyrë dhe më njofton për shkëputjen e marrëdhënieve nga puna në datën 26 shkurt. Hyn tha në fuqi menjëherë” 

Një udhëzim i Ministrisë së Arsimit i vitit 2014, i heq të drejtën e punësimit mësuesve që kanë përfunduar shkollat e mesme artistike dhe pedagogjike, që nuk kanë 20 vite eksperiencë. Kjo ka qenë edhe arsyeja e largimit të Donikës nga shkolla ku punonte prej 13 vitesh.

Donika Berisha: “Arsyeja e vetme që thonë këta, ka dalë udhëzimi që kush nuk ka 20-vjeçarin quhet pa arsim përkatës. Unë kam 17 vjet, kam kategorinë e dytë dhe quhem mësuese ‘specialiste’, por ndërkohë nuk kam të parën, e cila meret kur ti bësh 20 vjet. Në 2014, duhet të më kishin lajmëruar që ti mund të hiqesh nga puna, vazhdo një arsim ose të më trajnonin. Si hiqet, si flaken 17 vite pune dhe ik ti tani. Nuk di unë të jap muzikë?” 

Donika thotë se prej pesë muajsh ka qenë pre e presioneve nga drejtori i shkollës dhe Zyra Arsimore Kamzës. Ajo pohon se i është ofruar që të vijojë punën me kontratë të përkohshme, të cilën e ka refuzuar.

Donika Berisha: “Që në tetor që jam lajmëruar unë, herë pas here presione do të heqim, s’ke arsimin. I kam vajtur në zyrë drejtoreshës së Zyrës Arsimore dhe i kam thënë të lutem shumë se ti je nënë, grua, duhet të më kuptosh çfarë janë këto. Unë po kaloj një presion të paparë, ju lutem shumë më lini të punoj. Më kanë thënë që kthehu do të vazhdosh me kontratë. Jo, i kam thënë, sepse unë kam një vendim definitiv që e kam mar që në 2007, sepse të lënë me kontratë 5 muaj pastaj të heqin fare e njëjta gjë, edhe është më keq”

Donika bën të ditur se vendimin e largimit nga puna do ta ndjek në rrugë ligjore.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com