Jetesa e vështirë e minatorëve pas 20 viteve nëntokë: Duam statusin, po vuajmë për bukën e gojës

“Nuk është kollaj të punosh 2 mijë metra nëntokë 25 vjet. Unë skam pasur as ajër, as send, veç mëshirën e Zotit. Sa kemi qit të vdekur ne copë-copë” . 

“Unë hyja në minierë dhe thoshim ja dalshim me shokët, jo a do dalim”. “Ne nuk kërkojmë privilegje as luks, ne kërkojmë diçka që na takon sepse kemi lënë kocat atje”.

Kanë punuar prej më shumë se 20 vitesh në minierat më të mëdha të vendit, në kushte tepër të vështira dhe sot ata minatorë që i kanë shpëtuar vdekjes dhe që ende nuk janë mundur nga sëmundjet, kërkojnë që shteti të kthejë sytë nga ata, për tu dhënë trajtimin financiar që meritojnë. Minatorët thonë se jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe pensionet që marin janë minimale.

Minatorët: “Pension i papërfillshëm që nuk plotëson nevojat për 10 ditë. Nga sëmundjet në minierë jam operuar dy herë jashtë shtetit”

“Kam punuar 24 vjet në miniera. Me 11 mijë e 500 lekë që jam unë, që skam asnjë të ardhur tjetër, nuk mund të jetosh. Paska qenë më e mirë koha e Partisë së Punës se të paktën për me vdek nuk të linte, këto të lenë me vdek për 5 lekë bukë”.

“Unë kam punuar 20 vjet e 8 muaj në minierën e Spaçit, shumë prej shokëve të mi sot nuk ekzistojnë. Për çka kemi mbet jemi një dorë e vogël, as 1 mijë veta nuk kapemi vetëm në minierën e Spaçit që jetojmë. Edhe unë, edhe shokët e mi po vuajmë për bukën. Mar një vlerë prej 18 mijë lekësh, me atë çka mund të jetoj me hallet siç janë atje në Mirditë. Asnjë dorë nga shteti jo vetëm sot, por për 20 e sa vite”.

“Në minierën e kromit në Tropojë jam aksidentuar. Më 15 nëntor, 30 vjet bëhen. Të ardhurat janë shumë minimale. Vetëm ilaçe më shkojnë 35 mijë lekë, është shumë e vështirë”

Këtë të enjte, ish-punonjës të minierave nga i gjithë vendi kanë protestuar para Ministrisë së Industrisë, për t’i kërkuar qeverisë miratimin e statusit.

Mark Shurbi, minator: “Ne sot kërkojmë që qeveria të vendos në qendër të vëmendjes të japë Statusin e Minatorit që na takon. Puna në minierë ka qenë më e vështira, ne kemi prodhuar flori, krom, ne i kemi dhënë kombit, atdheut. Nuk kërkojmë lëmoshë. Ne duam pension minimal për minatorët 30 mijë lekë, maksimali 40 mijë lekë sa gjysma që marrin ata vetë”.

Minatorët kanë deklaruar se protestat e tyre do të përshkallozëhen nëse statusi i premtuar nga të gjitha qeveritë nuk do të miratohet. Protesta e radhës do të zhvillohet më 21 mars, para godinës së Kryeministrisë.

/Jonida Tashi/

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com