Ju njohim me Blertën: Dje mbrojti pronën. Efektivja e Shqiponjave sot u pezullua

Blerta Dervishi, efektivja e policisë pjesë e patrullës së posaçme të “Shqiponjave” është pezulluar përkohësisht nga puna, me arsyen se ka kundërshtuar përmbaruesit në ekzekutimin e vendimit të gjykatës duke mbrojtur shtëpinë e saj. Përplasja mes banorëve dhe policisë e përmbaruesve solli dhe shkarkime në policinë e Tiranës, ku u lirua nga detyra drejtori, Kastriot Skenderaj. Arsyeja e largimin sipas ministrit Lleshaj ishte sjellja e policisë, por për Ora News Skenderaj pohoi se ka kërkuar transferimin që para disa ditësh.

Gruaja që është duke hipur mbi murin rrethues të banesës është Blerta Dervishi nëna e dy fëmijëve që kundërshton ndërhyrjen e përmbarimit në objekt. Veprimet duke kundërshtuar efektivët e policisë janë bërë shkak që edhe ajo të pezullohet  nga forcat shqiponja ku kryen detyrën prej disa vitesh. Argumenti që i është dhënë për vendimin është se kundërshtimi që ajo ka bërë ndaj përmbaruesve për të shembur shtëpinë, vendim ky që i është komunikuar nga eprorët, në drejtorinë e policisë tiranë.

Në një prononcim për mediat ajo shprehet se ishte thjesht një qytetarë që po mbronte pronën e vet dhe fëmijët e saj.

Blerta Dervishi: “Unë kam qenë banore. Jam qytetare e thjeshtë e lirë për të mbrojtur pronën time dhe fëmijët e mi sepse nuk kam ku të shkoj tjetër”

Për situatën e krijuar në banesën e saj Dervishi i ka shkruar dhe kryeministrit Rama, ndërsa si përgjigje ka marrë të njëjtin qëndrim që kjo nuk është përgjegjësi i tij, por e gjykatave.

Përplasja mes 3 familjeve dhe policisë e përmbaruesve solli shkarkime dhe në radhët e policisë së kryeqytetit, ku u shkarkua drejtori, Kastriot Skenderaj, ndërsa vendin e tij e mori përkohësisht zv.drejtori Dhimitraq Ziu. Por duket se ky është vetëm një shkak, pasi largimi i Skenderajt ka nisur disa ditë më parë.

I pyetur nga Ora News, Skenderaj pohoi se ka kërkuar vetë transferimin për në drejtorinë e policisë së shtetit, por për shkak të procedurave të hënën është dhënë shkresa në dorë me motivacionin që transferohet me dëshirën e tij në Policinë e Shtetit.

Kjo lëvizje e drejtorit të Tiranës u komentua dhe nga ministri Lleshaj i cili deklaroi se vendimi i kreut të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra është reagimi i duhur, pasi nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull sepse prej saj kërkohet më shumë.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com