Kriza e emigrantëve në Sanremo, Baglioni: Qeveri mëkatare!Replikon Salvini: Këndo se të kalon…

Politika e porteve të mbyllura e masat shtrënguese ndaj emigrantëve të ndërmarra së fundmi nga qeveria italiane pas miratimit të ashtuquajturit Ligji Salvini, mbi sigurinë e emigracionin në Itali, kanë përfshirë dhe eventin më të madh artistik të muzikës italiane, Festivalin e Sanremos.

Gjatë konferencës për shtyp të prezantimit të këngëtarëve pjesëmarrës në edicionin e 69 të këtij Festivali që pritet të mbahet në datat 5- 9 shkurt, Drejtori artistik, kantautori i njohur Claudio Baglioni ka shprehur mendimin e tij mjaft kritik ndaj qeverisë Conte.

“Klasa jonë politike, opinioni publik po mëkatojnë në mënyrë dramatike”, është shprehur Claudio Baglioni.

“Vendi ynë po sillet tmerrësisht keq e me kaq mllef ndaj çdo jete të pafat, të pakëndshme, o ndaj dhe një miku, madje duke dyshuar dhe në hijen tonë.”

“Besoj, tha Baglioni, se masat e ndërmarra nga kjo qeveri, nuk janë absolutisht të drejta në zgjidhjen e kësaj situate. E për t’u kthyer tek Festivali i Sanremos jemi të interesuar të krijojmë një sens të ri harmonia, pasi vendi ynë është seriozisht i hutuar, pothuajse i verbër në drejtimin që duhet të marrë.”

Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtpërdrejtë të një gazetari se ç’mendim ka mbi çështjen e 49 emigrantëve të anijes humanitare Sea Watch që për 18 ditë me radhë u endën në det të hapur pasi asnjë vend europian nuk i hapte portet, kantautori Claudio Baglioni tha se “si mund të mendosh të zgjidhësh këtë situatë të miliona njerëzve në lëvizje duke ndaluar zbarkimin e 40-50 personave.

Kjo është një farsë, u shpreh ai. Nuk besoj se asnjë udhëheqës politik i sotëm është në gjendje ta zgjidhë këtë problem. Por të paktën duhet të zbardhet e vërteta. Ne po përballemi me një fenomen serioz e të gjithë duhet të jemi në gjendje t’i japim një zgjidhje.”

Drejtori Artistik i Sanremos tregoi para gazetarëve se si “pikërisht në ishullin e Lampeduzës 25 vite më parë, kur sapo kishte nisur fenomeni i zbarkimeve të emigrantëve, artistët pjesëmarrës në Festivalin e Sanremos, mes të cilëve dhe ai Claudio Balgioni, ishin të shqetësuar mbi faktin se ekzistonin udhëtime për persona të parregullt e shpresonin në një botë perfekte, ku çdo lëvizje e qënjeve  njerëzore të ishte e rregullt e të mos përfundonte në duart e paligjshmërisë.”

Ndaj deklaratave të Claudio Balgionit, nuk ka munguar dhe reagimi i Ministrit të Brendshëm Matteo Salvini.

“Baglioni këndo më mirë se të kalon. Me sigurinë, emigracionin e terrorizmin merret ai që ka të drejtën e detyrën për ta bërë”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com