Ky është vendi im – Jubileu i Skënderbeiadës

Politika është arti i së mundshmes, jo vetëm që njeriu ta bëjë realitetin sipas lirisë së tij, por njëkohësisht edhe të krijojë një fakt dhe destin të ri.

Veprimtaria e Skënderbeut, politike, diplomatike dhe luftarake tregon një dashuri të madhe për vendin e lindjes, atdheun e tij, një përmasë që mungon sot – shprehet historiani Ardian Muhaj.

Instrumentalizmi i Skënderbeut si largim nga orienti, përqafim i krishtërimit, apo Evropës, janë shfaqje të alocentrizmit, ndoshta edhe keqlexim historisë së tij, që disa e bëjnë me dashje.

Pas viteve ‘90 alocentrizmi u përshfaq haptazi dhe në mënyrë radikale. Integrimi evropian u shndërrua në një alibi për përshfaqjen e alocentrizmit më të thekshëm në historinë tonë moderne. Ndaj dhe Muhaj mëton që ta shoh Skënderbeun nën rolin e autocentrizmit, si qëndërzim të vetes sonë, si vetëvendosës, të prish keqleximin e së shkuarës për të mos na mjegulluar të ardhmen.

Sot, në këtë jubile të skënderbeiadës, debatet për heroin tonë kombëtar zhvendosen në një diskur dominant të miteve antemurale, sipas të cilëve ne jemi flijuar për të mbrojtur Evropën apo krishterimin.

Në vijim të këtij rishikimi të historisë, pa gara alocentriste dhe mite antemurale, historiani Ardian Muhaj na sjell një pamje krejt të re të Skënderbeut. Ndërsa flet për konceptin e monoheroit, që e kemi ruajtur vetëm ne dhe Turqia, Muhaj vijon se në debatet nëpër studio Skënderbeu zhduket nga fushëdebati. Muhaj argumenton se Rilindasit tanë e kanë kuptuar Skënderbeun më mirë se ne, edhe pse kemi mundësi më të shumta në saj të pasurisë dokumentare.

Por pse Fan Noli dhe Rilindas të tjerë e kanë kuptuar më mirë Skënderbeun?

Pse Skënderbeu zhduket nga fushëdebati sot?

Por sa i përket Skënderbeut në rrafshin artistik, respekti maksimal për këtë figure të përmasave botërore është cilësia estetike e veprave artistike në artet pamore dhe në arte, si dhe cilësia shkencore e veprave studimore.

Akademiku i arteve pamore, Fatos Kola, thotë se në rrafshin estetik dhe të vlerave të njëmendëta artistike, ekuestro në skulpturë e Skënderbeut, vepër e Janaq Paços, dhe realizimi në pikturë i Skënderbeut, vepër e Naxhi Bakallit, janë të niveleve më të larta, si në shkallë kontinentale edhe botërore.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com