Mazhoranca nuk ka numrat, shtyhet votimi i statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Në mungesë të votave në Kuvend, Partia Socialiste, tërhoqi nga votimi ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky ligj kërkon 84 vota, ndërsa Partia Socialiste është ende në kërkim të mbështetjes të aleatit të Lulzim Bashës, Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se ka komunikim më LSI-në për të bërë të mundur miratimin e këtij ligji që hap pranimet në shkollën e Magjistraturës dhe i kthen kompetencën KLD-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Balla la të kuptohet se krahas komunikimeve zyrtare, po punohet për të bindur edhe deputetë të veçantë.

BallaPo ju them dhe dua të jem shumë transparent që kemi një komunikim zyrtar me LSI për këtë çështje, por dua të theksoj që të ruajmë konsekuencën e qëndrimeve tona për një çështje të caktuar. Për çështjen e Shkollës së Magjistraturës, edhe LSI edhe PD duhet të qëndrojnë konsekuent asaj që kanë pasur edhe dy vite më parë, dakordësinë për të vijuar procesi i pranimeve. Pse jemi sot në kohë vonese dhe na duhet të ndryshojmë një aspekt që ka të bëjë me afatin. 

Pas miratimit të reformës në drejtësi në korrik na ndodhi një vonesë, tre muajt e çadrës që na ç’fazuan në kohë dhe ç’fazuan gjithë procesin. Nëse nuk do të ishin tre-katër muajt e çadrës, do të kishim tre-katër muaj më shumë kohë, 3-4 muaj kohë do të kishin edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, çka nuk do të kishte më nevojë për të ndryshuar këtë afat tek Shkolla e Magjistraturës. Besoj që në Kuvendin e Shqipërisë ka deputetë me prirje evropiane që duan që reforma e drejtësisë të vijojë.

Por përtej optimizmit të socialistëve, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Nasip Naço, rikonfimoi dhe një herë qëndrimin kundër kësaj nisme.

NaçoNë thelb, ndryshimet në dy nene që kërkohen nga dy deputetë të mazhorancës, është fakti që në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë gjyqësor, është që ne të kthehemi 180 gradë mbrapa që t’i japim edhe një herë mundësinë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë emërimet e magjistratëve, që duhet të ishin emëruar që në vitin 2016.

Unë personalisht dhe në emër të LSI-së, nuk kam pranuar të votoj nenin 1 që ka të bëjë me nenin 160 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që t’i japim edhe një herë mundësi KLD-së, të anatemuar nga ana jonë, nga ndërkombëtarët dhe nga vetë mazhoranca, dhe për shkak të këtij Këshilli që ishte bërë barrierë për gjithë sistemin e drejtësisë, që nga emërimet nepotike, që nga çdo propozim të bërë nga ministrat e drejtësisë. 

Kur kam qenë ministër drejtësie, i kam propozuar 44 gjyqtarë për t’u proceduar dhe nga këta 24 për shkarkim, më ka mbështetur në 4 apo 5 raste. E njëjta gjë ndodh edhe me ministren e kësaj mazhorance. Si mundet grupi parlamentar i LSI apo unë si ish-ministër i drejtësisë, tu japim edhe një herë mundësinë një pjesë të këtyre anëtarëve të KLD-së që do t’i quaja llumi i sistemit të drejtësisë.   

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com