Mbyllet Bienalja në Durrës

Bienalja “Mediterranea 18” ka ulur siparin në një ceremoni që u zhvillua në ambientet e Muzeut Arkeologjik në Durrës. Artistët e rinj nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut  u grumbulluan në ditën e fundit të Bienales për tu rikthyer drejt vendeve të tyre. Ministrja e kulturës Mirela Kumbaro dhe ministrja e ekonomisë dhe turizmit Milva Ekonomi vlerësuan se Bienalja përveç promovimit të kulturës, do jetë një ogur i mbarë edhe për turizmin.

 Mirela Kumbaro: “Secili nga ju në këtë Muze Arkeologjik ka gjetur diçka të vetën, diçka nga identiteti i vet kulturor, diçka nga historia e vendit të vet. Kjo është bukuria e kulturës, kjo është sfida që na bën të jemi të gjithë bashkë në një hapësirë pa kufi që quhet art dhe kulturë.”

Milva Ekonomi: “Ju ftoj që ta përdorini këtë njohuri që merrni për ngjarjet kulturore, ato sportive, për aventurën e malit që mund të ofrojë Shqipëria. Mbase keni histori për të treguar në veprat tuaja. Po padyshim që ju nuk e dini se bëni një gjë të mirë duke ardhur në Shqipëri. Ju ndihmoni ekonominë e vogël por edhe ekonominë e madhe shqiptare.”

Mbi 230 artistë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës dhe Mesdheut morën pjesë në Bienalen “Mediterranea 18” që u mbajt për herë të parë në dy qytete, në Tiranë dhe Durrës.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com