Mediat amerikane: Trump banalizoi gjuhën e tij ndaj emigrantëve

Ndërkohë që diskutonte një plan për emigracionin me dy senatorë në Zyrën Ovale, presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur një gjuhë vulgare ndaj emigrantëve. Burime të shumta mediatike shkruajnë se presidenti ka pyetur përse Shtetet e Bashkuara lejojnë emigracionin nga “vende të ndyra”, raportime që nuk janë mohuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan Donald Trump është i njohur për temperamentin e tij të zjarrtë dhe gjuhën provokuese, por këtë herë ai ka shkuar edhe më larg se kaq.

Mediat amerikane raportojnë se kreu i Uashingtonit ka përdorur një frazë vulgare ndërkohë që diskutonte një plan dypalësh për emigrimin, që do të prekë të ardhurit nga Afrika, Haiti dhe disa vende të Amerikës Latine.

“Përse gjithë këta njerëz nga vende të ndyra po vijnë këtu?,” pyeti zoti Trump ligjbërësit e pranishëm në takimin e organizuar të enjten në Zyrën Ovale.

Presidenti nuk u ndal me kaq teksa sugjeroi se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë më shumë njerëz nga vende si Norvegjia.

Komentet e presidentit u raportuan nga media si Washington Post apo agjensia e lajmeve Associated Press, të cilat citojnë burime anonime.

I pyetur për një reagim zyrtar, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Raj Shah nuk mohoi komentet e Trump.

“Disa politikanë të Uashingtonit zgjedhin të luftojnë për vende të huaja, por presidenti Trump do të luftojë gjithnjë për popullin amerikan,” u shpreh Shah.

Komentet e presidentit u pritën si shumë herë me polemika teksa shumë zyrtarë amerikanë bënë thirrje që Trump të kërkojë falje për sjelljen “e papranueshme”.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com