Meta: Zgjedhjet më 30 qershor, imagjinare. Kolegji justifikoi organizatën socialiste të KQZ

“Kolegji Zgjedhor justifikoi politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhe jashtë vendit për të anatomuar indirekt vendimin e kreut të shtetit por kurrsesi ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.”

Ky është sot reagimi i presidentit Ilir Meta një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor i cili rrëzoi padinë e Partisë për Unitet Kombëtar për tu çrregjistruar nga zgjedhjet për shkak të dekretit të Kreut të Shtetit.

Në një dalje për median mëngjesin e sotëm, 25 qershor, Meta i quajti zgjedhjet më 30 qershor “imagjinare” dhe se vendimin e Kolegjit Zgjedhor “një truk procedurial” për të justifikuar veprimtarinë e organizatës socialiste të KQZ-së dhe për të ndërtuar një operacion propagandistik”.

Vendim i Kolegjit Zgjedhor, – tha Meta- i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës. 

Kreu i shtetit nënvizoi edhe një herë se është vetëm Gjykata Kushtetuese ajo mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të tij”  dhe i bëri thirrje mazhorancës “të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj instituticioneve të pavarura pasi asnjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit.”

Presidenti insiston se: Zgjedhje më 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë dhe e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës, mbetet vetëm dialogu politik dhe respektimi i ligjit nga të gjithë.

 Deklarta e plotë e presidentit Ilir Meta

Të nderuar qytetarë dhe gazetarë në datën 10 qershor kam dekretuar shfuqizimin e dekretit 10928 i datës 5/11/2018, për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe anulimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Kjo vendimmarrje veç të tjerave synonte tu krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe axhendës së përbashkët europiane të Shqipërisë.

Në veçanti kjo synonte të ndihmonte përpjekjet publike për dialog të kryeministrit Rama, i cili i kishte shkruar 7 letra të gjata publike kryetarit të opozitës, Bashës. Por në mënyrë më zhgënjyese, nën direktivat e tij, Kuvendi miratoi një rezolutë parlamentare nëpërmjet së cilës i bënte thirrje të gjithë instituticioneve shtetërore të mos zbatonin dekretin e Presidentit të Republikës dhe pse ky dekret ishte botuar në fletoren zyrtare duke u bërë i detyrueshëm për të gjithë përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Ditën e djeshme në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie politike kundër një vendimi të KQZ që e pengonte atë të çregjistrohej nga zgjedhjet tashmë imagjinare të 30 qershorit. Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së kësaj force politike për tu çregjistruar nga këto zgjedhje imagjinare.

Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleatëve të PS dhe organizatës socialiste në KQZ që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm më 30 qershor. Të nderuar qytetarë nisur nga dezinformacionet e shpërndara qëllimisht në media e gjej me vend të sqarojë se në këtë proces, Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë e dekretit të Presidentit pasi një tager të tillë nuk ia njeh Kushtetuta.

Instituticioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces dhe për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik qoftë për dekretin qoftë për anulimin e datës së zgjedhjeve. Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të Kodit të procedurës civile vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor ka efekt vetëm përkundrejt palëve në proces dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve, pra midis organizatës socialiste në KQZ dhe aleatit të PS.

Vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedural për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhe jashtë vendit për të anatomuar indirekt vendimin e kreut të shtetit por kurrsesi ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Është e qartë që ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës. Të nderuar qytetarë gjithçka që ju patë dje ishte vetëm një shfaqje e rëndomtë që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe sundimit të ligjit. Jemi në një situatë paradoksale ku presidenti i Republikës në zbatim të Kushtetutës ka anuluar me dekret një proces zgjedhor monist që ishte planifikuar të mbahej me datën 30 qershor ndërkohë që mazhoranca dhe organizata socialiste në KQZ në paligjshmëri të plotë vijojnë teatrin për të vazhduar një proces votimesh që tashmë ligjërisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë.

Dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj sidomos pluralizmit politik.

Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese dhe vetëm ajo mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës. Ky akt është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë në Republikën e Shqipërisë. Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj instituticioneve të pavarura pasi asnjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit. 

Ndërkohë si president i Republikës vazhdoj të jem i detyruar të pres reflektimin e tyre dhe të kuptojnë se kanë përgjegjësi jo vetëm përpara militantëve të tyre por përpara gjithë qytetarëve shqiptarë, të gjithë taksapaguesve shqiptarë sidomos të ardhmes europiane të Shqipërisë që po vihet në pikëpyetje. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës, insistoj se mbetet vetëm dialogu politik dhe respektimi i ligjit nga të gjithë.

Lexo me shume:

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com