Mogherini thirrje vendeve të Ballkanit: Vazhdoni me reformat

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat dhe procesin e pajtimit, si kushte për anëtarësim në BE.

Mogherini i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Bruksel.

“Kemi diskutuar për Ballkanin Perëndimor. Të dy e rikonfirmuam angazhimin tonë ndaj rajonit, i cili ka perspektivë të qartë në Bashkimin Evropian, dhe inkurajojmë vazhdimin e reformave dhe procesin e pajtimit në rajon”, tha Mogherini.

Ajo po ashtu tha se me kryediplomatin amerikan ka biseduar edhe për Iranin, përkatësisht për marrëveshjen bërthamore me Republikën Islamike.

“Kam riafirmuar pikëpamjen e BE-së se zbatimi i vazhdueshëm i marrëveshjes bërthamore me Iranin është prioritet kyç strategjik për sigurinë evropiane, por edhe për sigurinë rajonale dhe globale”, tha Mogherini.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke e akuzuar këtë të fundit për shkelje të saj.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani është pajtuar që të reduktojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Duke folur në Bruksel, Tillerson tha se Irani eksporton armë dhe milici në zonën e konfliktit në Siri dhe se vazhdon mbështetjen për Hezbollahun – organizatë terroriste.

“Këto çështje dhe aktivitete të Iranit nuk mund të injorohen dhe nuk mund të kalojnë pa përgjigje. Në synojmë të ndërmarrim veprime që e bëjnë Iranin të kuptojë se këto janë të papranueshme. Ne synojmë të punojmë edhe me partnerët evropianë në këtë çështje. Mendoj se është kërcënim për shumë vlera tona të përbashkëta”, tha Tillerson.

Ai është në një turne në Evropë deri më 8 dhjetor, për takime me zyrtarë të NATO-s, BE-së dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë./REL

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com