Ndërkombëtarët për Specialen: Pasoja për politikanët, që përkrahin shfuqizimin e Gjykatës

Ndërkombëtarët mund të vendosin sanksione ndaj liderëve politikë dhe deputetëve të Kosovës, nëse ata do të vazhdojnë me nismën e shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Kjo u konfirmua nga Ambasada franceze në Kosovë, e cila në një përgjigje për mediat vendase bëri të ditur se sanksionet janë të mundshme nëse situata e kërkon këtë gjë. Ambasada nënvizon se nëse bëhet një shkelje serioze e angazhimeve ndërkombëtare në Kosovë, kjo nuk mund të kalojë pa pasoja.

Ambasadat e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian mund të vendosin sanksione ndaj politikanëve të Kosovës, nëse do të përkrahin shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ambasada franceze në Prishtinë, nuk e hedh poshtë mundësinë e sanksionimit të deputetëve kosovarë me mosdhënie të vizave, nëse ata vazhdojnë nismën e shfuqizimit të Gjykatës Speciale në Kosovë.

Sipas tyre, një shkelje serioze e angazhimeve ndërkombëtare në Kosovë, nuk mund të kalojë pa pasoja. Në një përgjigje të Ambasadës franceze për gazetën “Zëri”  thuhet se:

“Sanksionet janë të mundshme nëse situata e kërkon atë. Por, ato mund të diskutohen dhe duhet të vendosen vetëm brenda kornizës evropiane. Nuk mund të imagjinohet, që një shkelje serioze e angazhimeve ndërkombëtare në Kosovë të kalojë pa pasoja. Ne mendojmë se arsyeja do të mbizotërojë, sepse është në interes të vendit” thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Ndërsa zyrtarë të Ambasadës amerikane në Prishtinë kanë deklaruar për “Zërin” se Gjykata Speciale do të ndihmojë të sjellë drejtësinë për shumë qytetarë të Kosovës, përderisa kanë kërkuar nga Kuvendi që ta miratojnë sa më parë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Gjykata Speciale do të ndihmojë në sjelljen e drejtësisë për shumë qytetarë të Kosovës të shumë etnive dhe është hap jetik për të ardhmen evropiane të Kosovës. Kundërshtojmë projektligjin i cili po diskutohet tani dhe i përsërisim thirrjet tona drejtuar udhëheqësve institucionalë, udhëheqësve partiakë dhe anëtarëve të Kuvendit të heqin dorë nga shfuqizimi apo amendamentimi i çfarëdo pjese të Ligjit për Gjykatën Speciale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com