Ndihma ekonomike, Seferi: Mundësi punësimi dhe pagesë gjatë kohës së kurseve profesionale

Familjet që pretendojnë se janë përjashtuar në mënyrë të padrejtë nga skema e ndihmës ekonomike duhet të riaplikojnë. Drejtorja e Përkujdesit Shoqëror dhe Shërbimeve të Integruara në Ministri, Denada Seferi, thotë se verifikimi i përfituesve nuk ka përfunduar dhe mund të ketë familje të varfëra që për gabime njerëzore kanë dalë jashtë skemës.

Denada Seferi: Ato familje ose ata kryefamiljarë të cilët janë përjashtuar për shkak të një gabimi apo për shkak të një mungese dokumentacioni, por jo për shkak të kritereve përjashtuese, po se vet kanë bërë një deklarim të tillë, por jo të qëllimshëm, janë penalizuar nga sistemi sepse është një sistemi pikëzimi. Çdo jopërfitues i kësaj skeme duhet të riaplikojnë dhe të kenë kujdes në deklaratat e tyre që verifikimet në terren të tregojnë realisht gjendjen social-ekonomike të çdo familjeje e cila pretendon të jetë pjesë e kësaj skeme.  

Për familjet në nevojë që janë nxjerrë nga skema si pasojë e llogaritjes së sistemit të pikëzimit, Seferi pohon se të gjitha rastet duhet të trajtohen nga bashkitë, të cilave u janë kaluar fondet e nevojshme.

Denada Seferi: Nuk ka një bashki e cila të mos ketë në degën e tyre të thesarit apo në llogarinë e tyre paratë të cilat vlejnë vetëm për të mbrojtur këto familje që janë realisht të varfëra.

Nga verifikimet e skemës ka rezultuar se shumë persona në moshë aktive punësimi kanë refuzuar të punojnë ose nuk kanë një zanat. Ndaj së shpejti qeveria do të miratojë një vendim që kësaj kategorie tu ofrohen 1-3 punësimi si dhe kurse profesionale falas.

Denada Seferi: Alternativa tjetër që jepet nga kjo skemë është që çdo i punësuar në moshë aktive pune merr 1 deri në 3 mundësi punësimi. Ajo që po hartohet dhe që do të jetë shumë shpejt e miratuar është edhe një vendim i Këshillit të Ministrave, ku të gjithë ata që kanë mundësi të marin një kurs formimi profesional do të shkojnë të marin një zanat dhe më pas do të kenë një punësim të qëndrueshëm. Edhe gjatë periudhës së kurseve të formimit profesional do të paguhen me pagesë nga buxheti i shtetit.

Aktualisht skema e re e ndihmës ekonomike është shtrirë në të gjitha qarqet e vendit. Sipas të dhënave, në këtë skemë janë shtuar 18 mijë familje të reja përfituese, pothuajse  po aq sa edhe janë hequr për përfitimin në mënyrë abuzive.

/Jonida Tashi/

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com