Në SHBA për 20 mijë euro, zbulohen trafikantët. Ndihmuan dhe 2 policë

Një grup kriminal prej 17 personash që falsifikonin viza amerikane e angleze, u godit gjatë operacionit të koduar “272”, i cili zgjati 2 ditë. Pjesë e rrjetit kriminal ishin edhe dy policët Entela Çala dhe Arian Uku, ndërsa për çdo person ata merrnin deri në 20 mijë euro. Detajet e operacionit i bëri të ditura Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Sipas policisë, Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj, ishin ndërlidhësit mes dy grupeve që vepronin në Shqipëri dhe Greqi, kurse Marjo Myrtaj ishte korrieri mes tyre.

Ndërsa policët dyshohet se i ndihmonin trafikantët me informacione kundrejt rryshfetit, ndërsa përgjegjësinë për gjetjen e personave që trafikoheshin në SHBA dhe vende të tjera, e kishin shtetasit Ilir, Alfred dhe Marjo Myrtaj, të cilët bashkë me Albert Xhelilajn falsifikonin dokumentet.

Ata që gjenin njerëz për trafikim ishin personat e tjerë të listës prej 17 të arrestuarve. Në kërkim është shpallur një 26-vjeçar nga Gjirokastra, ndërsa në total këtij rrjeti kriminal i janë arrestuar 41 persona.

Ardi Veliu: Nisur nga informacionet e mbledhura dhe të administruara është dokumentuar me prova se shtetasit Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelilaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin falsifikime të dokumenteve si letërnjoftime, pasaporta, viza, duke pajisur persona të ndryshëm kundrejt përfitimit monetar dhe material. Nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit, ky grup transportonte njerëz në shtete të ndryshme, kryesisht: SHBA, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar.

Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal rezultoi se shtetasit Ilir Myrtaj, Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelilaj, Gentjan Stojku, Florjan Hysenaj, Entela Çala, Keldi Beshi, Arben Kadiu, Ismail Alushani, Ylli Gokaj, Aleksandër Leka, Shkëlqim Mema, Qazim Hysko, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e përshkruara më sipër, shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia.

Në Shqipëri u sekuestruan 4 laboratorë falsifikimesh, nga 7 që dispononte ky grup me aktivitet në disa shtete. Policia sekuestroi edhe dokumente mes të cilave edhe pasaporta biometrike të vendeve të BE-së. Përpos akuzës së trafikimit njerëzor, ndaj të arrestuarve rëndojnë edhe akuzat e trafikut të drogës.

17 te arrestuarit e njoftuar sot 

1. Ilir Myrtaj, 60 vjeç, nga Tirana
2. Alfred Myrtaj, 54 vjeç, nga Tirana
3. Marjo Myrtaj, 29 vjeç, nga Tirana
4. Albert Xhelilaj, 57 vjeç, nga Tirana
5. Gentjan Stojku, 37 vjeç, nga Tirana
6. Florjan Hysenaj, 53 vjeç, nga Shkodra
7. Entela Çala, 43 vjeçe, nga Tirana, punonjëse policie
8. Arian Uku, 39 vjeç, nga Tirana, punonjës policie
9. Keldi Beshi, 48 vjeç, nga Tirana
10. Arben Kadiu, 54 vjeç, nga Tirana
11. Ismail Alushani, 47 vjeç, nga Tirana
12. Ylli Gokaj, 63 vjeç, nga Shkodra
13. Aleksandër Leka, 61 vjeç, nga Tirana
14. Shkëlqim Mema, 46 vjeç, nga Tirana
15. Qazim Hysko, 60 vjeç, nga Tirana
16. Rezalba Hotaj, 22 vjeçe, nga Shkodra
17. Vera Mehmetaj, 27 vjeç, nga Shkodra
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi L.S., 26 vjeç, nga Gjirokastra.

Ata akuzohen për“Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”

Kush ishin nderlidhesit?

“Shtetasit Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj ishin ndërlidhësit mes dy pjesëve të grupit që vepronte në Shqipëri dhe Greqi. Ndërsa shtetasi Marjo Myrtaj ishte në rolin e korrierit mes tyre”

Po roli i dy policeve?

“Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e dy punonjësve të policisë, Entela Çala dhe Arian Uku, të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës si punonjës policie.”

Në nëntor 2016 ishte regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda procedimin penal për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Arrestimet ne Greqi

Në bashkëpunim me disa agjenci ligjzbatuese partnere të huaja, veçanërisht me autoritetet policore greke, në dhjetor 2017 është bërë i mundur arrestimi i 24 personave anëtarë të këtij grupi kriminal me aktivitet në Greqi, kryesisht shtetas shqiptarë dhe grekë, por edhe të kombësive të tjera, të cilëve u janë sekuestruar 7 laboratorë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Hetimi pasuror

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.  Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com