Opera feston 90-vjetorin e Zadejës dhe anëtarësohet në Opera Europa

Simfonia e parë e vitit 1956, muzika e filmit “Skënderbeu” dhe vepra e fundit për orkestër që Çesk Zadeja e kompozoi më 1996, një vit para se të ndërronte jetë, luhen nesër në mbrëmje në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.

“Ka një detaj të vogël, ka një ide të re e cila sa herë që të sillet në skenë, sa herë që të ekzekutohet nga orkestra, nga kori, nga solistët, nga instrumentistët si dhe po me atë gjallëri dhe vitalitet muzikor dhe artistik që Cesk Zadeja e ka patur gjithmonë në krijimtari.”

90-vjetorin e lindjes së Zadejës festohet si pjesë e kalendarit kushtuar Historisë së Operës, në këtë rast, historia e një kompozitori pionier i mjaft zhanreve muzikore, i muzikës moderne shqiptare, aq edhe i disa institucioneve të muzikës.

“Nisur që nga themeluesi apo drejtori artistik i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, më pas drejtor artistik dy herë i Teatrit të operas dhe Baletit, krijues i Degës së Kompozicionit dhe Degës së Muzikës në Akademinë e Arteve.”

Krijimtaria e Zadejës përfshin ndër të tjera rreth 200 këngë popullore të përpunuara, skica simfonike dhe muzikë për disa balete, nga të cilat nesër ekzekutohet vetëm një pjesë nga baleti “Para stuhisë” ose ndryshe “Lumi i vdekur”. Baritoni Armando Likaj interpreton pjesët vokale të muzikës së “Skënderbeut”.

“Duke kujtuar vokale të mëdha si Llukaci që e ka interpretuar dhe në muzikën e filmit ‘Skënderbeu’ dhe pastaj si romancë në cdo koncert ndër vite. E falenderoj nga zemra, edhe pse nuk ndodhet më mes nesh që ka lënë një botë dhe një pasuri kaq të madhe të muzikës shqiptare, të madhin Cesk Zadeja.”

Lajmi i mirë që Teatri i Operës dhe Baletit jep bashkë me këtë përvjetor, është anëtarësimi në Opera Europa, institucioni më i lartë që njeh kontinenti për teatrot e operës.

“Jemi gati për të startuar të ecim në të njëjtat nivele dhe në të njëjtat kushte me të tjerët teatro operistik.”

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com