Përfitimet nga gazi i TAP, biznesi britanik ofron ndihmë për shtrimin e infrastrukturës

Mungesa e infrastrukturës penalizon Shqipërinë për të përfituar nga gazi që do të kalojë në territorin e saj përmes gazsjellësit TAP. Por një zgjidhje ofrohet nga biznesi britanik. Kreu i Dhomës Britanike, Zenel Hoxha thotë se investitorët britanikë mund të ofrohen për shtrimin e linjave të shpërndarjes së gazit për shqiptarët.

Investitorët britanikë pritet që të jenë aktorët ekonomikë që mund të krijojnë infrastrukturën e duhur për shpërndarjen e gazit tek konsumatorët shqiptar, pas ndërtimit të rrjetit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).

Faktin e bën të ditur kreu i Dhomës Britanike në Shqipëri, Zenel Hoxha i cili deklaron se investitorët kanë hartuar dhe një projekt konkret, por pritet që ai të implementohet sapo të përfundojë faza e ndërtimit të linjës, si dhe kalimit të saj drejt Kroacisë.

Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike e Tregtisë: Britanikët janë jashtëzakonisht të suksesshëm , kanë treguar interes prej katër vitesh kur kishin “British Gaz” në Shqipëri, ku kishim edhe një studim paraprak dhe ata po presin për përfundimin e fazës së parë të projektit TAP dhe pastaj të vazhdojnë. Faza e dytë do të jetë linja drejt veriut dhe e treta është mundësia për implementimin e projektit madhor të munguar në Shqiëpri që është përdorimi i gazit nga konsumatorët për ngrohje, gatim etj.

Por, investitorët britanikë duket se kanë rritur interesimin e tyre për investime edhe në fushën e energjisë së rinovueshme, pasi Shqipëria ka potenciale të bollshme.

Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike e Tregtisë: Ata janë të fokusuar tek energjia e rinovueshme, pasi Shqipëria ka kushte dhe ofron shumë atraksione për industrinë e energjisë diellore. Por me interes është edhe investimi nga mbetje në energji. Ne jemi gati, kur them jemi gati, nënkuptoj se interesi britanik është ON dhe ne po bashkëpunojmë me Qeverinë Shqiptare me qëllim hedhjen e hapave konkrete, pasi janë të gjitha mundësitë.

Ekspertët në vend, kanë ngritur shqetësimin, se projekti i gazsjellësit mund të rrezikojë të mbetet thjesht një rrugë kalimi në vendin tonë, duke mos sjellë përfitime në fazën e shfrytëzimit, për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur.

Përveç kësaj kërkohet që të hartohet edhe një kudër ligjor, për përdorimin e gazit të lëngshëm jo vetëm në industri, por edhe në familje, siç BE i ka rekomanduar qeverisë shqiptare për të ulur koston e energjisë.

Flutura Tota

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com