Prokurorët e Krimeve të Rënda në zyrën e Donika Prelës i kërkojnë sqarime

Tensionet kanë shoqëruar vendimin e djeshëm të kryeprokurores Arta Marku.Mësohet se gjatë pasdites së ditës së enjte, situata në Gjykatën e Krimeve të Rënda është agravuar pasi  prokurorët që u proceduan pasi nuk pranuan të shqyrtonin dosjen “Shullazi”, kanë shkuar  në  prokurori për të kërkuar sqarime nga numri një i kësaj prokurorie, Donika Prela.

Por mësohet se kjo  e fundit nuk ka pranuar ti presë, çka i ka detyruar tre nga prokurorët të hyjnë me forcë.

Prokurorët mësohet se kanë kërkuar  sqarime për vendimin e dhënë nga kryeporkurorja Arta Marku për ti proceduar ata.

Ndërkohë që Donika Prela mësohet se ka kërkuar praninë e policisë për ti nxjerë prokurorët jashtë por policia nuk e ka bërë këtë ngjarje publike.

Ora News mëson se  prokurorët e proceduar janë duke përgatitur dy padi, një që është  kallëzim penal për Arta Markun dhe Donika Prelën për urdhrin e pezullimit nga detyra dhe së dyti, ankim civil në gjykatë për pavfleshmëri absolute të urdhrit të nisjes së procedimit.

Prokuroria mohon incidentin

Zyrtarisht nga Krimet e Rënda thuhet se nuk ka pasur tensione fizike mes prokurorëve.

Marku shkarkon nga detyra Sokol Stojanin

Po kështu mësohet se prokurori Sokol Stojani është liruar nga detyra para dy ditësh, konkretisht në datën 19 shtator  mbi bazë të këtij vendimi pa përcaktuar motivin.

Stojani me detyrë  kreu i Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme  mësohet se është liruar për arsye të tjera që nuk kanë lidhje me këtë çështje.

Marku transferoi 3 prokurorë dhe vendosi në hetim disiplinor 7 të tjerë

10 prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët refuzuan hedhjen në short të dosjes “Shullazi” do ti nënshtrohen procedimit disiplinor.

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, njoftoi të enjten pasdite se ka urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor ndaj dhjetë prokurorëve që refuzuan shortin, ndërkohë që tre prej tyre janë transferuar në rrethe.

Transferimet kanë prekur edhe ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj që po hetonte dosjen e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ndërkohë të premten në mëngjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se është caktuar grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen “Shullazi”, por emrat nuk bëhen të ditur deri në seancën gjyqësore të radhës, pra më 25 shtator.

Njoftimi i Krimeve të Rënda bën me dije se  “në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, është caktuar  grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi”.

Emrat do të mësohen vetëm ditën e seancës së 25 shtatorit, por nuk dihet nëse Krimet e Rënda kanë gjetur apo jo prokurorë të rinj që do ta shqyrtojnë këtë dosje duke qenë se 10 prej tyre nuk kanë pranuar ta shqyrtojnë.

Kjo është një situatë e paprecedentë në sistemin e drejtësisë shqiptare.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com