Propozimi për tatim 1.5%, më shumë se gjysma të punësuarve paguhen nën 30 mijë lekë

Së fundmi në Komisionin e Ekonomisë është ngritur debati mbi nivelin e taksimit të pagave të ulëta në vend. Pasi deputetët e shumicës kërkuan që pragu i pagës së patatueshme nga 30 mijë lekë që është aktualisht të bëhet 40 mijë lekë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë erdhi me një propozim të ri.

Ministri kërkoi gjatë debatit rishikimin e nivelit të Tatimit mbi të Ardhurat Personale  dhe propozoi që niveli i pagës së patatueshme të ulej në 10 mijë lekë ose të hiqej fare dhe te futej një sistem prej 1.5% TAP për të gjithë të punësuarit.

Sa janë të punësuarit që preken në rast se ky propozim miratohet?

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në qershor 2018 numri i të punësuarve me pagë bruto deri në 30 mijë lekë ishte 388 mijë e 364, apo 56% e totalit të të punësuarve, të cilët do të prekeshin drejtpërdrejtë nga miratimi i këtij propozimi.

41% e të punësuarve i përgjigjen fashës 30 mijë deri në 130 mijë lekë në muaj dhe 3% e të punësuarve marrin një pagë mbi 130 mijë lekë në muaj, apo rreth 18 mijë të punësuar.

Për periudhën e raportuar, sipas burimeve nga tatimet, paga mesatare bruto është 39,990 lekë, i cili korrespondon edhe me nivelin e pragut që deputetët e shumicës kanë kërkuar që të përjashtohet nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale.

Argumenti kryesor për rritjen e pragut të nivelit të pagës së patatueshme është mbrojtja e individëve me të ardhura të ulëta. Ndërkohë që në vitin që do të vijë qeveria planifikon që të rrisë pagat me një mesatare nga 7 deri në 20% sipas projekt buxhetit.

Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat

Të ardhurat nga marrëdhëniet e punësimit tatohen sipas tabelës së mëposhtme: Shkalla tatimore e tatimit mbi pagat:

Paga Tatimi
0  – 30,000 0
30,001-130,000 13%  të shumës mbi 30,000 lek
130,001 13,000 lek + 23% të shumës mbi 130,000 lek.

/Monitor.al/

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com