Raporti i BB: Gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri

Përkundër performancës së ekonomisë, në Shqipëri varfëria ka mbetur e lartë dhe të ardhurat për frymë për gjysmën e popullsisë nuk e kalojnë shifrën 5 dollarë në ditë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, mbi 181 mijë persona në Shqipëri jetojnë me 3 dollarë në ditë, ndërsa mbi 20 mijë të tjerë janë poshtë këtij kufiri, në kushtet e varfërisë ekstreme me vetëm 1.9 dollarë në ditë.

Banka Botërore vlerëson se varfëria e moderuar, që nënkupton një matje e nivelit të jetesës me 5.5 dollarë në ditë është mjaft e përhapur në Shqipëri. Sipas raportit, 32.8% e popullsisë ose rreth 1 milion persona i plotësojnë nevojat e tyre të jetesës me rreth 5 dollarë në ditë.

Banka konstaton se megjithëse varfëria në Shqipëri ka ardhur në ulje, krahasuar me vendet e rajonit, treguesit në këtë drejtim janë të dobët. Në raport theksohet se rënia e varfërisë ka qenë më e shpejtë në shtresën e popullsisë që jeton me 5 dollarë në ditë, ndërsa në grupin që jeton në varfëri ekstreme, rënia ka qenë më e ngurtë.

Në këto kushte, BB i rekomandon qeverisë që të ketë në vëmendje rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që janë dy faktorët kryesore për uljen e varfërisë. Banka vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë u forcua në 3.4% në 2016 dhe parashikohet të jetë mesatarisht 3.5% përgjatë dy viteve në vazhdim.

Por në të ardhmen, Banka Botërore sheh me risk eksportet e Shqipërisë dhe flukset e investimeve të huaja, duke i përkthyer më tej në të ardhura më të ulëta tatimore, më pak investime publike dhe për rrjedhojë me një rritje më të ulët ekonomike. Sipas Bankës Botërore, për të siguruar stabilitetin makroekonomik, vendit i nevojiten më shumë reforma strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Varfëria në Shqipëri

20 300 persona jetojnë me 1.9 dollarë dollarë në ditë

181 225 persona jetojnë me 3 dollarë në ditë

1 milion persona jetojnë me rreth 5 dollarë në ditë

/Nga Jonida Tashi

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com