Roland Qafoku, kronika e 100 vrasjeve më të bujshme të shtetit shqiptar

Roland Qafoku, gazetari që vjen para lexuesit me librin “100 vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar”

Gazetari dhe moderatori i emisionit “Debati në Channel One”, Roland Qafoku vjen përpara lexuesit me librin e titulluar “100 vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar” i cili është fokusuar tek vrasjet e kryera në shtetin shqiptar.

Si një gazetar më shumë përvojë, Qafoku sjell detaje të shumë ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në dekada në Shqipëri dhe që kanë ndryshuar edhe rrjedhën historike, në një libër të mirfilltë të kronikës së zezë, por jo libër triller.

Roland Qafoku: Nuk është triller. Libri është pasqyrim i asaj që ka ndodhur në Shqipëri. Është një pikëvështrim e krimit që ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar. Janë ngjarje që nuk lidhen vetëm me politikën, por ngjarje që kanë bërë bujë dhe kanë ndikuar në jetën sociale, politike, shoqërore dhe shtetërore të shtetit shqiptar.

Në këtë libër, lexuesit do të gjejnë fakte mbi vrasje të bujshme, të cilat janë mbledhur me shumë kujdes nga autori. Nuk trajtohen vetëm vrasje politike, por edhe vrasje të karaktereve të tjera por që buja e tyre ka qenë e madhe.

Roland Qafoku: Unë mendoj se janë disa vrasje që kanë ndryshuar historinë e shtetit shqiptar. Janë disa ngjarje kriminale, si psh: Vrasja e deputetit Azem Hajdarit që ndryshoi në një farë mase historinë e politikës shqiptare. Vrasja e Avni Rustemit si dhe vrasja e dy biznesmenëve amerikanëve në Mamurras, solli atë që u quajt “Revolucioni demokratik i qershorit” por në fakt ishte një kryengritje e armatosur si ajo e 14-shtatorit i 1998. Vrasja e Esad Pashë Toptanit, padyshim që solli nDryshimin në histori, pasi u vra një kryeministër. Ai është vrarë pak momente pasi takoi presidentin e SHBA në Paris. Vrasja e zv.kryeministrit Preng Bib Doda, një nga vrasjet më të rënda të shtetit shqiptar për të cilën është folur pak. Vrasja enigmatike e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit apo edhe vrasja e Mehmet Shehut dhe Nako Spirut, ministër ekonomie, një personaliteti i lartë i atij regjimi, që për mua janë vrasje të pastra.

Autori rrëfen se, për të nxjerrë në dritë këtë libër i është dashur një punë intensive dhe sistematike 20-vjeçare, ndërkohë që vetëm për ta hedhur të zezën në të bardhë, i janë dashur dy vite.

Roland Qafoku: Unë në fakt këtë e kam pasur projekt shumë vite më parë. Ata që më njohin nga afër e dinë natyrën time skrupuloze për të punuar në mënyrë sistematike me anë të dosjeve. Unë kam punuar dhe krijuar disa dosje për vrasje të veçanta. Unë kam punuar për 20 vite, ndërkohë që vetëm e shkruara më kërkoi afro 2 vite, ndërsa puna këkrimore e studimore, grumbullimi i arkivave nëpër dosje dhe studimi i tyre më kanë marrë 20 vite.

Ky është libri i dytë i gazetarit, Roland Qafoku pas botimit të librit “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama”, i cili doli në treg në vitin 2015.

Flutura Tota

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com