Shehu kundër korrigjimit të kufijve: Keqardhje që projekte në dëm shqiptarëve hidhen në treg nga shqiptarë

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Tritan Shehu, shprehet kundër idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve.

I ftuar në Ora News, anëtari i Komisionit për Punët e Jashtme, sheh me keqardhje që një projekt i tillë që bie ndesh me interesat e shqiptarëve hidhet në treg nga po shqiptarët, duke nënkuptuar këtu presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Tritan Shehu: Nuk ka gjë më të keqe sesa kur shprehje, mendime që bien ndesh me interesat e shqiptarëve hidhen në treg nga goja e shqiptarëve.Dhe kur projekti që bie ndesh me interesat tona hidhet në treg jo i sheqerosur nga jashtë, por nga shqiptarët. 

Duhet të jemi realistë se çdo tentativë, çdo rrugë, çdo zhvilim që çon në një hapje të kutisë së Pandorës për ribërjen e kufijve nuk i dihet ku do të çojë dhe është momenti më i pa favorshëm për shqiptarët për të hapur një tematikë të tillë. Ne duhet të mendojmë qartë për të konsoliduar këtë që kemi arritur dhe jo për të zhbërë ato që kemi arritur dhe për të krijuar sërish një proces që nuk dihet se ku do të çojë. Dua të falenderoj Merkel për qëndrimin në Maqedoni, ku tha se kjo është një aventurë që nuk dihet se ku do të çojë.

Shehu thotë se për rajonin nuk ka rrugë tjetër përpos integrimit në BE dhe teza të tilla sipas tij bëhen pikërisht për të frenuar proceset euroatlantike.

Shehu: Ne kemi një princip, kufijtë midis vendeve tona të rajonit duhet të zhvlerësohen ditë për ditë gjatë procesit tonë  të integrimit, për tu zeruar pastaj kur të gjithë bashkë të jemi anëtarë të familjes europiane, anëtarë të BE.

Rrugë tjetër nuk ka.Ata që duan ta fusin këtë vend në një vorbull të tillë, një pjesë e madhe e tyre jo të gjithë, kërkojnë të krijojnë një spirale të re ridestabilizimi në rajon për të vonuar procesin e integrimit në BE dhe NATO, për interesat e tyre që bien kundër nesh, për reminishencat e vjetra që duan të krijojnë hijet e të kaluarës. Fatkeqësisht në rajon në këto momente janë krijuar aleanca të vjetra që krijohen herë pas here.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com