Sot Tirana-Partizani, nuk lejohet grumbullimi i tifozeve jashtë këtij itenerari

Policia e Tiranës publikon masat e sigurisë për zhvillimin e ndeshjes “Tirana – Partizani”, sot në orën 19:45, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në ambientet e jashtme të stadiumit si dhe përgjatë rrugë kalimeve të tifozërive.

“Në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ” thuhet në njoftimin e policisë.

Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundraligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ), si dhe çdo tifozë duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore si dhe bllokime të pjesshme të disa segmeteve rrugore (momenti i kalimit të tifozërive).

Kur do bllokohen rruget

Segmentet Rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00  deri në përfundim të aktivitet, janë :

– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”

– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”

– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”

– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”

Lëvizja e tifozerisë

Policia e Tiranës do të lejojë dhe marrë masa mbi grumbullimin dhe lëvizjen e tifozërive në disa itenerare nga ora 17:30- 19:30. Gjithashtu informon se nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itenerarit të caktuar.

Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 17:30 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Tiranës”, janë:

Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”,  bulevardit “Gjergj Fishta”, përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, rrugës “Pjetër Budi”, rrugës “Gjin Bue Shpata” deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”.

Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 18:00 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Partizanit”, janë:

Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com