Sulmi ndaj ish-spiunit, Trump mund të dëbojë diplomatët rusë

Edhe Shtetet e Bashkuara mund të përjashtojnë diplomatët rusë që shërbejnë në vend, si masë kundër sulmit kimik ndaj ish-spiunit Sergei Skripal në Britani. Një lëvizje e tillë do të ishte solidarizim me vendimin e marrë nga Britania dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian për dëbimin e diplomatëve rusë nga vendet respektive.

Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e përjashtimit të disa diplomatëve rusë në Shtetet e Bashkuara, në solidaritet me Britaninë mbi helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal në Angli. Lajmi bëhet i ditur nga një burim pranë situatës, i cili thotë se ky vendim mund të lajmërohet edhe përgjatë ditës së hënë. Sipas burimit, masa mund të jetë e kushtëzuar nga mënyra si shtetet europiane ju përgjigjën sulmit me agjent nervor.

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord javën e kaluar për të marrë masa ndëshkuese kundër Rusisë për sulmin ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, të cilët vijojnë të mbeten në gjendje kritike që prej datës 4 mars. Moska ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe i është kundërpërgjigjur vendimit të Britanisë për përjashtimin e 23 zyrtarëve rusë, duke dëbuar 23 diplomatë britanikë nga vendi. Shtetet e Bashkuara u rreshtuan krah Britanisë në fajësimin e Rusisë për këtë sulm.

Pavarësisht mundësisë së lajmërimit të një mase të tillë, presidenti amerikan Donald Trump është përpjekur të përmirësojë lidhjet me homologun rus Vladimir Putin. Javën e kaluar, kreu i Uashingtonit zhvilloi një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit, të cilin e uroi për ri-zgjedhjen e tij në krye të vendit.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com