Tahiri në “arrest shtëpie”, çfarë u tha në seancën me dyer të mbyllura…

Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën arrestit të shtëpisë për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për bashkëpunim në trafikun e drogës. Pas seancës avokati i tij Maks Haxhia u shpreh se do të apelojë vendimin e dhënë , teksa shtoi se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë të re. Madje në reagim ai ka shigjetuar dhe prezencën e prokurorit Hajdarmataj i shkarkuar vetëm pak ditë më parë nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Tirane- Gjykata e Krimeve të Rënda la sot në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” të dhënë tre ditë më parë për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në seancën dy orëshe, ish-Ministri dhe avokati i tij Maks Haxhia nuk arritën të bindin gjyqtaren Liliana Baku për vendosjen e një mase më të lehtë sigurie.

Përballë tyre, dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Besim Hajdarmataj thanë se kjo masë sigurie është e domosdoshme pasi rrezikon prishja e provave.

“Prokurori tha se duhet të arrestohet zoti Tahiri pasi mund të ndërhyjë në zyrën time duke prishur provat” tha avokati Maks Haxhia, duke zbuluar një detaj nga seanca gjyqësore.

Seanca u zhvillua pa pranine e kamerave.

Pas vendimit avokati Maks Haxhia shprehu bindjen se ky vendim do të prishet nga Gjykata e Apelit ku do të ankimojnë, pasi sipas tij pretendimet e mbrojtjes janë të argumentuara në ligj.

Haxhia: Analizuam gjithë dosjen mbi bazën e të cilës gjykata e shkallës së parë të krimeve të rënda kishte pranuar kërkesën e organit të prokurorisë për caktimin e masës së arrestit në shtëpi, ndryshimi ishte se nuk pranoi kërkesën për arrest me burg. Në gjithë materialin e dosjes së paraqitur nga prokuroria nuk kishte asnjë provë të re që të implikonte me dyshime të arsyeshme të bazuara në prova implikimin e Tahirit në ndonjë vepër penale, përfshirë dhe ato të akuzës.

 Skafi me të cilin ka udhëtuar Tahiri me familjen e tij në Greqi është një skaf i një biznesmeni që ja ka marrë hua dhe pasi ka pësuar defekt është kthyer në Shqipëri. Skafi është i blerë sipas të gjitha rregullave. Në drejtësi nuk ka ti thua, unë them, ka unë provoj me argumenta këtë pretendim. Një gjë e tillë nuk është provuar.

 

Çfarë u tha në seancën me dyer të mbyllura

Avokati Maks Haxhia ka thënë që në fillim të seancës se gjithçka është bërë për të denigruar figurën e ish-Ministrit të Brendshëm pasi prokuroria nuk ka asnë provë të re nga ato të disa muajve më parë ku kërkoi pezullimin e pasaportës të ish-Ministrit.

Ai ka argumentuar edhe letër-porositë e ardhura së fundmi nga Greqia dhe Italia që sipas tij nuk e fajësojnë direkt ish-Ministrin e Brendshëm.

Haxhia dhe Tahiri më pas kërkuan revokimin e masës së sigurisë në një masë tjetër më të lehtë sigurie.

E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjia e prokurorit Besim Hajdarmataj.

Sipas tij kjo masë është kërkuar për faktin se në disa raste është vërtetuar që disa prova janë prishur dhe rrezikon mundësia të prishen  dhe prova të tjera.

Pasi ka persona të tjerë që nuk janë marrë në pyetje.

Hajdarmataj iu referua dëshmisë së një personi që ka në pronësi një mjet të përdorur nga zoti Tahiri në Greqi.

Ai tha se ky shtetas  pasi është marrë në pyetje nga prokuroria ka pasur një kontakt me ish-Ministrin.

Lidhur me këtë, Tahiri tha se vërtet ka pasur një kontakt me këtë person, por thjesht e ka falenderuar dhe i ka kërkuar ndjesë që është bërë objekt i marrjes në pyetje nga organi i akuzës.

Prokurori Hajdarmataj përmedi gjithashtu faktin se do bëjë apelim në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar vendosjen e arrestit me burg për Tahirin.

Akuzat ndaj Tahirit

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, ndërsa u fut në Gjykatën e Krimeve të Rënda rreth orës 10:30 tha se do të kërkojë shfuqizimin e vendimit që ka marrë gjykata në ngarkim të klientit të tij.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se brenda korrikut dosja pritet të çohet në gjykatë.

Tahiri akuzohet për trafik të narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror në kuadër të hetimeve për dosjen “Habilaj”.

Tahiri u shoqërua në gjykatë nga efektivë të policisë

Ish-Ministri i Brendshëm mbërriti në gjykatë me një makinë policie dhe u shoqërua në ambjentet e brendshme  nga efektivët.

Edhe pse media e priste prej mëngjesit herët tek porta kryesore e banesës tek “Kodra e Diellit”, Tahiri nuk u pa të dilte.

Nuk dihet nëse banesa ka dalje tjetër, apo Tahiri ka manovruar duke dalë herët nga shtëpia për të shmangur median.

Prokuroria thotë se ka prova të reja

Prokuroria është shprehur se ka prova të reja për ish-Ministrin nga letërporositë e Greqisë dhe Italisë dhe dëshmitë e marra brenda dhe jashtë vendit.

Gjykata e Krimeve të Rënda dha të shtunën e 12 majit vendimin për masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Prokurët e çështjes Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kërkuan masën “arrest me burg” por gjykata mori parasysh rrezikshmërinë e ulët shoqërore.

Edhe prokurorët do apelojnë vendimin

Prokurorët kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin.

Ndërkohë zhvillimet e fundit kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Krimeve të Rënda por dhe policinë e shtetit.

Drejtuesja e re e krimeve të Rënda zhvilloi mesditën e së hënës, (14 maj) një takim me shefin e sektorit të hetimit të krimit të Organizuar në Policinë e shtetit, Eduard Merkaj.

Takimi zgjati rreth një orë.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com