Taksa e Rrugës së Kombit, Preçi: Qeveria të sigurojë aks paralel kalimi për qytetarët

Qeveria duhet të garantojë që fondet e mbledhura nga taksa e Rrugës së Kombit do të shkojnë posaçërisht për mirëmbajtjen e saj, ndërkohë që qytetarëve duhet t’u garantohej një rrugë paralele kalimi, në mënyrë që ata të zgjidhnin ku të qarkullonin. Eksperti Zef Preçi pohon se në këtë taksë, duhet të merret në konsideratë edhe niveli i jetesës.

Preçi: Prania e rrugës paralele është një lloj parakushti dhe investimi paraprivat është një lloj parakushti tjetër në mënyrë që ky sistem të funksionojë si kudo në botë. Në vendet e BE, taksa merr në konsideratë jo vetëm vlerën e investimit, merr në konsideratë koston e mirëmbajtjes. Nivelin e jetesës, tipin dhe llojin e mjetit motorrik që është brenda në rastin tonë dhe njëkohësisht merr në konsideratë frekuencën e kalimit. Sot qeveria ka shpallur një numër rrugësh që nuk kanë ekzistuar më parë, psh, nga Kashari në Rrogozhinë etj, të cilat nuk interferojnë në rrugët ekzistuese, ndërtohen nga operatorët privatë dhe është krejt normale që të vendosë një fijë 100 km, që mund të shkosh për 80 km. Sa e bën 2 orë, mund ta bësh për 1 orë e gjysmë. Është mundësi për të zgjedhur mundësitë e kalimit.

Por para kësaj takse të re, qytetarët shqiptarë po paguajnë 3-fish për Rrugën e Kombit, duke nisur nga interesat e kredisë për ndërtimin e saj, taksën e qarkullimit të automjeteve dhe çmimin e lartë të karburantit.

Preçi: Sot qytetarët shqiptarë paguajnë koston e ndërtimit të kësaj rruge, në të njëjtën kohë paguajnë taksë qarkullimi. 680 mijë përdoruesit e mjeteve motorrike kontribuojnë për të mbledhur një fond të konsiderueshëm, 50 milionë euro në vit. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka koston më të lartë të lëndës djegëse, karburant.

Për Zef Preçin, vendimi i taksimit të rrugës, duhej të konsultohej me banorët e zonës, por edhe shtetin kosovar, për të evituar rritjen e kostove për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve si dhe turizimin.

Preçi: Masa të tilla të konsultohen me qytetarët, me faktorin politik në Kosovë sepse ekziston rreziku të rriten kostot e mallrave dhe shërbimeve dhe të goditet një nga burimet kyesore të ekonomisë shqiptare, sic është turizmi i bashkëatdhetarëve tanë nga Kosova.

Duke nisur nga kjo e hënë, koncensionari ka nisur testimin e pagesës për taksën e rrugës, e cila do të variojë nga 2.5 euro për motorrat, 5 për autoveturat, 11.2 euro për autobusët, e deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë. Pagesës do t’i nënshtrohen të gjtihë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Kukësit dhe anasjelltas.

Jonida Tashi

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com