“Të publikohen listat” – Selami: Bashës i intereson karrigia më shumë se demokratët

Në takimet me demokratët e Qarkut të Elbasanit, kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduart Selami, kërkoi që listat e votuesve të bëhen publike. Selami tha se demokratët janë krenarë që janë pjesë e partisë dhe nuk ka asnjë arsye që ata të fshihen.

SelamiHajde ta bëjmë sa më të mirë garën që listat tona të jenë sa më transparente. Listat e votuesve të PD-së duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne nuk duhet t’i lëmë qytetarët, ata votuesit tanë dhe ata që nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike, ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne një parti ilegale. Demokratët janë krenarë që janë pjesë e PD-së.

Selami i bëri thirrje kandidatit tjetër në garë, Lulzim Bashës që të mbajë premtimin e dhënë për debate të hapura për mediat, duke filluar që nga debati i radhës, ndërkohë që u shpreh se interesi i vetëm i Bashës është karrigia e kryetarit dhe jo rimëkëmbja e Partisë Demokratike.

SelamiUnë e pata fjalën e zt.Basha që këto do të ishin takime të hapura. Zt.Basha ju largua debatit. Unë mendoj që kjo nuk është e drejtë dhe i bëj thirrje prapë që akoma ka kohë. Hajde prej këtej e tutje t’i bëjmë debatet të hapura përpara kamerave. Ta shikojmë se ku kemi gabuar.

T’ia them në sy siç e kam thënë se ku e humbi besimin tim. Në mënyrë fare të natyrshme ngrihet një pyetje; kush është qëllimi dhe interesi kryesor i zt. Basha, rimëkëmbja e Partisë Demokratike apo mbajtja dhe ruajtja e postit të kryetarit. Kam frikë se është një pyetje që zt.Basha në mënyrë të sinqertë nuk i përgjigjet dot.

Selami siguroi demokratët se me të në krye do të ringjallet shpresa e humbur dhe Partia Demokratike do të rikthehet më fuqishëm se kurrë.

Selami: Jam këtu për t’u ringjallur edhe një herë shpresën dhe besimin që së bashku do të rikthemi fuqishëm, edhe më fuqishëm se sa edhe në kohët tona më të mira.

Selami tha se asnjë forcë tjetër politike nuk e ka arritur atë që ka bërë Partia Demokratike për vendin.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com