Të verbërit protestojnë para Parlamentit, kërcënojnë me bojkot

Të verbërit bashkë me disa persona me aftësi të kufizuara nga i gjithë vendi kanë protestuar për dy orë para Parlamentit, për t’i bërë thirrje qeverisë që të përmbush premtimet e pambajtura.

Kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, tha se qeveria duhet të rrisën në masën 10 për qind pagesën e paaftësisë si dhe t’i kthejë borxhin kësaj shtrese.

“Asgjë nuk kanë bërë. Asnjë premtim nuk është mbajtur. Megjithë premtimin që morëm, pagesat tona nga 2009, për 8 vjet kanë zero rritje. Ne duam që qeveria të marrë në konsideratë një rritje në masën 10 për qind”, pohoi kreu i të verbërve.

Tafaj lëshoi akuza të forta edhe për përfaqësimin që po i bëhet personave me aftësi të kufizuara. “Fatkeqësia na ka mar dritën, por zërin na e ka mar qeveria me ligj. Ne nuk kemi përfaqësues në Këshillin ndërdikasterial të qeverisë, sepse qeveria me ligj ka mar të drejtën të caktojë vetë përfaqësuesit. Atë që mori përfaqësues i dha post shtetëror”, deklaroi Tafaj.

Protesta e të verbërve është mbështetur edhe nga analisti Fatos Lubonja.

“Kemi 25 vjet që fiton e keqja në këtë vend. Nuk mund t’ju jap ndonjë shpresë të madhe këtu në një kohë kur vendi është në dëshpërim të madh. Protesta juaj, protesta e njerëzve më të brishtë të kësaj shoqërie është denoncimi më i madh për politikën”, pohoi Lubonja.

Në rast se qeveria nuk do t’i plotësojë kërkesat e tyre, të verbërit paralajmëruan se do të bojkotojnë zgjedhjet.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com