Trazirat politike në Itali shkaktojnë rënie në bursat europiane

Bursat europiane janë tronditur nga kriza politike e krijuar në Itali duke shënuar rënie, pas caktimit të një kryeministri të përkohshëm dhe me perspektivën e zgjedhjeve të reja në vend. Euro është zhvlerësuar edhe ndaj dollarit amerikan, për herë të parë në thuajse një vit. Lëvizja e bursave nuk pritet të ndalet, pasi ekzistojnë shqetësime se zgjedhjet e reja në Itali do të shërbejnë si një referendum ndaj monedhës së përbashkët europiane.

Trazirat e vazhdueshme politike në Itali kanë tronditur edhe bursat europiane, të cilat kanë shënuar rënie. Perspektiva e zgjedhjeve të mundshme në shtator, si dhe perspektiva e fuqizimit të pozicionit të partive euroskeptike, kanë goditur tregjet, duke bërë që treguesit e bursave më të rëndësishme të shënonin rënie deri në 3%. Euro u këmbye me 1.15 dollarë për herë të parë në thuajse 1 vit, një zhvlerësim prej 0.8% gjatë ditës.

Trazirat precipituan pasi Lëvizja 5 Yjet dhe Lidhja e ekstremit të djathtë braktisën përpjekjet e tyre për të formuar një koalicion qeverisës, pas ngërçit të krijuar mes tyre dhe presidentit Sergio Mattarella, i cili vendosi veton ndaj kandidatit për ministër të ekonomisë, Paolo Savona dhe caktoi ish-zyrtarin e FMN Carlo Cottarelli si kryeministër të përkohshëm.

Zgjedhjet e reja të cilat do të mbahen pas muajit gusht, rrezikojnë të kthehen në një referendum për euron. Monedha e përbashkët europiane pësoi rritje me veton e Mattarellas ndaj nominimit të Savonas, por lehtësimi më pas u kthye në frikë se zgjedhjet do t’i ngjasojnë një referendumi mbi Bashkimin Europian. Një votë protestë e italianëve do të ishte goditja e dytë më e rëndë pas largimit të Britanisë nga blloku i përbashkët.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com