Vlorë – Fëmijet jetimë, Totozani: Asnjë tolerancë ndaj dhunës

Avokati i Popullit  Igli Totozani, ka nisur një aksion për monitorimin në terren të kushteve të trajtimit të të miturve në Shtëpitë e Fëmijës, në të gjithë vendin. Kontrolli do të përfshijë trajtimin nga pikëpamja sociale, psikologjike dhe shëndetësore të fëmijëve në këto qendra, por edhe verifikimin e çdo punonjësi në Shtëpitë e Fëmijës lidhur me arsimimin, trajnimin dhe profesionalizmin në ushtrimin e detyrës. Nisur nga rastet e dhunës së përsëritur ndaj të miturve në shtëpitë e fëmijës, Avokati i Popullit ka ngritur një grup të posaçëm ekspertësh për të verifikuar dhe evidentuar çdo rast shkelje apo keqtrajtimi të fëmijëve.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte dje për një inspektim të detajuar në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë.

“Do të ushtrojmë kontrolle dhe monitorime në të gjitha shtëpitë e fëmijës në Shqipëri. Do të vlerësojmë standardet e të drejtave të njeriut. Në grup prej 6 ekspertësh do të filtrojnë çdo qelizë të këtyre qendrave që rriten fëmijë, duke filluar nga dosjet e personelit, nëse janë të përshtatshëm për kryerjen e detyrave dhe nëse plotësojnë standardet e duhura, duke vazhduar me dosjet sociale, psikosociale, dosjet shëndetësore të fëmijëve, infrastrukturën e godinave”, tha  Totozani pas interesimit të medias.

Avokati i Popullit theksoi se “nëse do të konstatojmë predispozicion apo raste dhune nuk do të ngurrojmë për t’i dërguar në prokurori. Çdo individ që ushtron dhunë të çfarëdolloj natyre, fizike apo psiqike ndaj fëmijëve, duhet të mbajë përgjegjësi”.

Pas inspektimit të Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë, Totozani tha se ekspertët e Avokatit të Popullit kanë evidentuar disa probleme, kryesisht të aspektit shëndetësor, të mungesës së mjekut dhe psikologut.  “Nga pamja e deritanishme shohim se nuk kemi zhvillim të njëtrajtshëm të të gjithë këtyre qendrave. Konstatojmë një infrastrukturë të amortizuar, e cila nuk është e përshtatshme, duke pasur parasysh interesin më të lartë, atë të fëmijës. I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë së Vlorës që në mënyrë urgjente të planifikoj fonde për ristrukturimin e menjëhershëm të kësaj qendre, pasi lagështira është e madhe, sidomos në katin e sipërm, ç’ka mund të rrezikoj shëndetin e këtyre fëmijëve”, tha z. Totozani.  Sipas Avokatit të Popullit, jo vetëm që nuk do të tolerohen rastet e dhunës, por edhe ato të neglizhencës në trajtimin e fëmijëve.

Avokati i Popullit  Igli Totozani ndodhet sot, në Sarandë, për një tjetër inspektim në Shtëpinë e Fëmijës së kësaj bashkie.

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com