Zaev nga Prishtina: Hetim ndërkombëtar për incidentin në Kumanovë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili sot po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë, ka deklaruar se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën lidhur me incidentin e armatosur në Kumanovë, i cili kishte ndodhur në maj të vitit 2015. Deklaratën e tillë kryeministri Zaev e ka bërë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Jemi pajtuar që të ketë qoftë edhe një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe provat. E gjithë kjo, me qëllim që t’iu jepen qytetarëve përgjigjet e vërteta. Kjo është edhe në interes të bashkëpunimit tonë. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme, sepse aty u vranë edhe disa policë. Pra, do të ketë një hetim ndërkombëtar, gjithmonë me qëllim që të arrihet deri tek e vërteta”, ka thënë kryeministri Zaev.

Në incidentin e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, në të cilin ishin të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova.

Zaev gjithashtu ka theksuar se me kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, kanë biseduar për projektet e përbashkëta, për avancimin e komunikimit ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosovën dhe Maqedoninë i lidh orientimi euroatlantik i të dyja vendeve.

“Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet tona, pra, ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Maqedonisë, Zaev do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Vizita e kryeministrit Zaev në Prishtinë, shënon vizitën e parë të një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008. /REL/

*

*

Top
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com